Mikroplastikat janë kudo, por a janë të dëmshme për ne?

Mikroplastikat janë kudo, por a janë të dëmshme për ne?

12:21, 10/09/2024

Mikroplastikat janë gjetur në oqean dhe në ajër, si dhe në ujin dhe ushqimin tonë. Ato janë zbuluar në një hapësirë të gjerë të indeve trupore, përfshirë në zemër, mëlçi, mushkëri dhe testikuj.

Por, a janë duke na dëmtuar ato?

Provat lënë të kuptohet se ka mundësi, por në mënyrë të kufizuar. Disa hulumtues janë të shqetësuar, por e pranojnë se ka shumë pyetje pa përgjigje.

Marya Zlatnik, mjeke obstetere nga San Françisko, e cila ka studiuar toksinat mjedisore dhe shtatzëninë, thotë se ka parë hulumtime që rrisin shqetësimet për ndikimin e mikroplastikave në shëndetin e foshnjave dhe të rriturve.

Megjithatë, kjo është një fushë e re hulumtimi, prandaj ajo nuk bisedon për këtë teëm në përgjithësi me pacientët e saj.

“Ende nuk jam plotësisht e sigurt çfarë të them”, tha Zlatnik.

Çfarë janë mikroplastikat?

Plastikat janë materiale të bëra nga dora e njeriut. Shumë prej tyre burojnë nga nafta apo nga produktet e naftës. Ato mund të zbërthehen në grimca të vogla, përmes ekspozimit ndaj nxehtësisë dhe motit, e madje edhe përmes tretjes.

Si po depërton mikroplastika në ushqimin që konsumojmë?

Hulumtuesit e kanë rritur dukshëm interesimin në mikroplastika, të cilat mund të jetë të mëdha sa një gomë lapsi, apo të vogla sa një fraksion i gjerësisë së flokut të njeriut. Nanoplastikat, një fushë tjetër studimi, janë edhe më të vogla.

Këto plastika të vogla janë vërejtur në ajër, në ujë dhe në dhe, në qumësht dhe në ujin e pijshëm në shishe dhe të çezmës. Ato janë zbuluar edhe në ushqime të ndryshme, përfshirë në krip, sheqer, mjaltë, orizë dhe në ushqim të detit.

A ka mikroplastika në trupin e njeriut?

Sipas të gjitha gjasave, po.

Ka debat shkencor për atë se sa shumë thithin dhe gëlltitin njerëzit dhe kjo mund të varet në atë se çfarë hanë dhe pinë dhe se ku jetojnë ata, sipas hulumtuesve.

Disa hulumtues australianë, në emër të World Wildlife Fund, llogaritën më 2019 se shumë njerëz konsumojnë çdo javë përafërsisht 5 gramë plastikë nga ushqimi dhe pijet e zakonshme – që është e barasvlershme me një kartelë bankare. Ky vlerësim nuk është mbështetur botërisht nga hulumtuesit, por përmendet zakonisht në artikujt e rinj.

Hulumtuesit ende janë duke punuar për t’i zbuluar nivelet e ekspozimit, por çdo studim i ri po gjen shenja të plastikës në indet trupore.

“Mikroplastikat janë matur pothuajse në çdo ind trupor që është vlerësuar”, tha Tracey Woofruff, hulumtuese nga Universiteti i Kalifornisë. Shkencëtarët kanë gjetur ato madje edhe në penis, në vezore dhe në placenta.

A të dëmtojnë mikroplastikat?

Kjo është ende duke u vlerësuar.

Një raport i vitit 2022 nga Organizata Botërore e Shëndetësisë erdhi në përfundim se nuk ka rrezik të qartë për shëndetin e njeriut, sipas të dëshmive në dispozicion.

Gjithashtu nuk ka ndonjë shenjë të qartë për ndikimin e tyre të madh në shëndetin publik, së paku në lidhje me shkallën e vdekshmërisë. Shkallët e vdekjeve nga kanceri, sëmundja e zemrës dhe sulmi në tru, kanë shënuar rënie, jo ngritje.

Megjithatë, hulumtuesit kanë filluar së voni matjen e plastikës në trupin e njeriut – dhe përpjekjet për ta vlerësuar ndikimin e saj në shëndet. Një pjesë e asaj pune po sjell frute vetëm tani.

Ka kuptim që mikroplastikat të jenë të dëmshme, sepse ato përmbajnë kimikate toksike, tha Woodruff, e cila ishte pjesë e ekipit që i shqyrtoi gati 2,000 studime për mikroplastikat, me kërkesë të ligjvënësve nga Kalifornia. Mund të ndodhë, për shembull, që mikroplastikat të luajnë rol në rritjen e zhvillimit të disa kancereve tek te rinjtë, tha ajo.

G7-a zotohet për dhënie fund të ndotjes plastike deri më 2040

Të dhënat në dispozicion lënë të kuptohet se plastika mund ta rrisë inflamacionin dhe të shkaktojë ndryshime problematike në trupin e njeriut, të cilat e rrisin rrezikun për sulme në zemër dhe në tru.

Një studim i vogël në Revistën Mjekësore New England në fillim të këtij viti sugjeroi, pa dëshmuar, se pacientët me dëshmi të plastikës në arteriet e tyre, janë në rrezik më të madh për të vdekur nga sulmet në zemër dhe ato në tru. Por, një ekspert i pa përfshirë në këtë hulumtim sugjeroi se vlerësimi në këtë studim mund të jetë i ekzagjeruar.

“Edhe pse ka ende shumë gjëra që nuk i dimë për grimcat mikroplastike dhe dëmin që ato mund ta shkaktojnë tek njerëzit, të dhënat që sot janë në dispozicion, janë shumë shqetësuese për mua”, tha mjeku Philip Landrigan, nga Kolegji i Bostonit.

Çfarë mund të bësh kundër mikroplastikave?

Ka mënyra për ta zvogëluar ekspozimin ndaj mikroplastikave të mundshme, thonë hulumtuesit.

Zbathni këpucët para se të futeni në shtëpi, për ta shmangur bartjen e pluhurit plastik [pa përmendur mikrobet, papastërtitë dhe mbetjet e tjera) brenda shtëpisë suaj.

Hani ushqime – posaçërisht frute të freskëta dhe perime – të cilat i përgatisni në shtëpi.

Mos e ngrohni asnjë ushqim në pjatë plastike në mikrovalë, thotë Woodruff.

Dhe zgjidhni shishe të ripërdorshme dhe të pandryshkshme prej xhami apo çeliku, në vend të shisheve plastike, shtoi ajo.

Zlatnik theksoi se familjet me të hyra të kufizuara mund të brengosen për gjëra më të mëdha.

“Nëse dikush brengoset se si ta sigurojë ushqimin e radhës, unë nuk do t’i jap këshilla për t’i ruajtur ushqimet e tepruara në gjësende prej xhami dhe të mos i ngrohin ato në pjata plastike në mikrovalë”, tha ajo.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco