Trajneri i Partizanit i kënaqur me atmosferën në derbi, por jo me rezultatin

Trajneri i Partizanit i kënaqur me atmosferën në derbi, por jo me rezultatin

22:45, 21/09/2024

“Fillimisht falënderoj tifozët për atmosferën, përgëzoj lojtarët për dëshirën dhe vullnetin gjatë lojës. Ka përfunduar në barazim 0-0, por personalisht nuk jam kurrë i kënaqur kur dal barazim, normalisht që si çdo derbi ka brenda shumë nervozizëm. Kam përshtypjen që në pjesën e parë ishim shumë nervozë. Rrjedhimisht në 15-20 minutat e fundit, me zëvendësimet, aty ndryshuam. Shfrytëzoj rastin të uroj Koten për derbin e parë dhe performancën që bëri dhe i uroj suksese në karrierë në të ardhmen, jo vetëm që ka debutuar, por edhe ka ndryshuar shumë gjëra në lojën tonë.

Kishim një problem siç ishte ndërrimi i detyruar i Buxhelajt dhe herë pas herë u ankua Mehmeti në pjesën e parë. Duke shfrytëzuar dëmtimin e detyrueshëm, duke mos pasur shumë alternativa, ishim të kujdesshëm. Kjo është arsyeja pse ndërrimet u bënë në atë kohë. Por pajtohem dhe do të kisha bërë më herët zëvendësimet për të marrë kontrollin e lojës. Duhet të shtoj se Ismaili, Kote e Mba dhanë shumë në lojën tonë dhe aty u shfaqën problemet për Tiranën.

Me dy sulmues? Të gjitha mundësitë janë të hapura. Vetëm duhet të kuptojmë që kur flasim për dy sulmues, duhet të kuptojmë edhe cilësinë e mesfushorëve të Tiranës në qendër. Normalisht në raport me kundërshtarin, është pjesa e ekuilibrit që duhet t’i kushtojmë rëndësi. Normalisht edhe nëse luajmë me dy sulmues, hyn edhe pjesa e cilësive të mesfushorëve tonë. mendoj se me hyrjen e Mba kemi fituar disa cilësi në fushë. Për arsye të karakteristikave që ka, thuajse lidhi linjën e fundit, krijoi hapësira për lojtarët e tjerë.

Sot jam shumë i kënaqur me aspektin mbrojtës, por jo me atë sulmues. Jam shumë i kënaqur me situata të caktuara si kanë vepruar Zeka me Hadrojn. Nuk kemi patur ekuilibër në anën e majtë dhe në qendër. Dhe kjo është një tregues që duhet të përmirësohemi.

Fillimisht patëm problem në vendosje se Tirana u shfaq në epërsi numerike në linjat qendrore, u munduam të marrim masa dhe deri në fund të pjesës së parë nuk reaguam siç duhet. Me ndërrimet fituam ekuilibrat dhe filluam të kontrollonim atë pjesë të fushës.

Normalisht si çdo gjë që bëjmë në stërvitje, nuk mund ta bëjmë në fushë. Ritmi i ndeshjes është i lartë. Duke shtuar edhe pjesën e pauzës ku nuk kishim 5 lojtarë për ndeshjet me kombëtaren, tre ditë para ndeshjes erdhën Buxhelaj me Prekën dhe një ditë para ndeshjes erdhën të tjerët. Mes Dinamos dhe Laçit kishim 3 ditë kohë, e pamjaftueshme për të organizuar punën ofensive. Pastaj patëm 4 ditë kohë, filluam të përfeksionojmë disa automatizma te lojtarët, por të cilat kërkojnë kohë. Për mua futbolli ofensiv nuk është vetëm pjesa e sulmit, por edhe ekuilibrit, vendosjes e të tjera”, tha Veselinoviç.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco