UEFA Futsal Champions League/ Tirana luan ndeshjen e parë ndaj Weilimdorf

UEFA Futsal Champions League/ Tirana luan ndeshjen e parë ndaj Weilimdorf

11:18, 22/08/2024

Kampionia e Shqipërisë, Tirana Futsal ka luajtur këtë të mërkurë ndeshjen e parë në Grupin C të fazës para-eliminatore të UEFA Futsal Champions League 2024/25.

Bardheblutë e nisën aventurën europiane me humbje, pasi u mposhtën me rezultatin 3-2 nga skuadra gjermane, Weilimdorf, sfidë që u luajt në sallën e lojërave me dorë “Feti Borova” në Parkun Olimpik të kryeqytetit.

Ndeshja nisi më mirë për skuadrën gjermane që fitoi një 11-metërsh në minutën e 3-të, por portieri Mjeku u tregua i saktë dhe priti penalltinë. Reagimi i Tiranës ishte i menjëhershëm dhe bardheblutë morën avantazhin në minutën e 6-të me Diar Deliun.

Tirana edhe në minutat në vijim ishte më kërkuese, ndërsa Kaca humbi një rast të artë për të realizuar golin e dytë në minutën e 18-të. Pjesa e parë u mbyll 1-0 për Tiranën.

Fraksioni i dytë nisi më mirë për skuadrën e Weilimdorf, pasi gjermanët barazuan rezultatin me Josip Sesar. Në vazhdim Weilimdorf përmbysi gjithçka, teksa në të 27-ën Amer Dzindic shënoi golin e dytë.

Tirana nuk u dorëzua dhe barazoi rezultatin në minutën e 32-të me Shqipeon Brahimi. Megjithatë skuadra e Weilimdorf gjeti sërish rrugën e rrjetës në të 36-ën me Valentino Gavric. Deri në fund nuk pati ndryshim në rezultat dhe sfida u mbyll me fitoren e Weilimdorf 3-2.

Ndërsa, ndeshja e parë e grupit Akaa (FIN) – Ísbjörninn (ISL), që u zhvillua në orën 17:00, përfundoi me fitoren e thellë të ekipit finlandez 9-0.

Të enjten më 22 gusht do të luhen edhe sfidat e dyta të Grupit C të fazës para-eliminatore të Futsal Champions League. Ndeshja Weilimdorf – Akaa do të zhvillohet në orën 17:00, ndërsa Tirana Futsal do të luajë në mbrëmje ndaj Ísbjörninn, në 20:45.

Takimet e fundit të Grupit C do të zhvillohen të shtunën më 24 gusht. Ísbjörninn  – Weilimdorf do të luhet në orën 17:00, ndërsa Tirana  – Akaa në 20:45.

UEFA Futsal Champions League 2024/2025

Kalendari i ndeshjeve të Grupit C

Dt: 21.08.2024

Akaa (FIN) – Ísbjörninn (ISL)                  9-0

Weilimdorf (GER)  – Tirana (ALB)          3-2

Dt: 22.08.2024

Weilimdorf (GER)  – Akaa (FIN)             17:00

Tirana (ALB)  – Ísbjörninn (ISL)             20:45

Dt: 24.08.2024

Ísbjörninn (ISL) – Weilimdorf (GER)     17:00

Tirana (ALB) – Akaa (FIN)                     20:45

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco