Ribery i zhgënjyer: Shpresoja se do të vazhdoja me Fiorentinën, por askush nuk më telefonoi

Ribery i zhgënjyer: Shpresoja se do të vazhdoja me Fiorentinën, por askush nuk më telefonoi

09:45, 10/07/2021

"Romanca" midis Franck Ribéry dhe Fiorentina zgjati vetëm dy sezone. Edhe pse ishte titullar i padiskutueshëm në formacion, klubi italian nuk i ofroi kontratë të re futbollistit francez, i cili tashmë ka dalë lojtar i lirë.

Në një intervistë për “Toscana TV”, Ribery shprehu gjithë zhgënjimin e tij me klubin vjollcë, pasi deklaroi se ka dhënë gjithçka në dy vite dhe nuk ka marrë as edhe një telefonatë sqaruese për të ardhmen.

“ Ishin dy vite vërtet të bukura, jo të lehta por jam i lumtur sepse takova kaq shumë njerëz, një qytet të bukur dhe adhuruesit e tij. Divorci ishte i vështirë, pasi në këto dy vite kam dhënë maksimumin, ashtu siç është në natyrën time. Ishte e çuditshme, pasi për 3-4 javë nuk më telefononte askush për të më thënë se çfarë do të ndodhë dhe kjo për mua është mungesë respekti. Më vjen keq, pasi do të doja të vazhdoja akoma te Fiorentina”, u shpreh Ribery.

Ndonëse mbylli përfundimisht eksperiencën në klubin toskan, 38-vjeçari francez i uron më të mirën Fiorentinës, pasi deklaron se skuadra i ka të gjitha mundësitë për të bërë më mirë sezonin e ardhshëm.

“Nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të luftonim për mbijetesë këtë sezon, megjithatë skuadra ka lojtarë të fortë dhe i ka të gjitha mundësitë për të provuar të bëjë diçka më shumë në të ardhmen”, tha francezi.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco