Presidenti i FIFA korr një fitore, heq prokurorin special

Presidenti i FIFA korr një fitore, heq prokurorin special

13:03, 05/05/2021

Bellinzona, Zvicër - Si një fitore e madhe ligjore për presidentin e FIFA-s Gianni Infantino, prokurori special që hetonte takimet e tij me ish-Prokurorin e Përgjithshëm të Zvicrës është hequr nga çështja, tha një gjykatë federale të mërkurën.

Gjykata penale federale zvicerane tha se mbështeti një ankesë nga Infantino për të larguar nga hetimi prokurorin Stefan Keller. Kjo nuk e mbyll hetimin. Zyra e prokurorir Keller nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.

Gjykata citoi një seri prej katër njoftimesh për shtyp të lëshuara nga zyra e prokurorit Keller midis dhjetorit dhe marsit, për të justifikuar heqjen e tij.

Në ato dokumente, prokurori Keller kishte thënë që Presidenti Infantino duhet të përballet me një hetim penal për menaxhim të padrejtë në përdorimin e një avioni privat të rezervuar nga FIFA, për të shkuar nga Suriname në Zvicër, në vitin 2017.

Prokurori Keller nuk ka më asnjë autoritet për të hapur proces kundër Infantinos dhe zyra e prokurorisë federale zvicerane tha se nuk kishte një çështje të hapur.

Ligjvënësit zviceranë i dhanë prokurorit Keller një mandat vitin e kaluar për të hetuar Prokurorin e atëhershëm të Përgjithshëm Michael Lauber për abuzim të mundshëm të detyrës publike.

Ish-kryeprokurori Lauber dhe Presidenti i FIFA, Infantino patën tre takime të padokumentuara në 2016 dhe 2017 gjatë një hetimi më të gjerë federal ndaj zyrtarëve ndërkombëtarë të futbollit.

Të dy burrat më vonë pretenduan se nuk i mbanin mend detajet e takimeve të cilat u zbuluan nga raportet e mediave.

Infantino u zgjodh president i FIFA-s në shkurt 2016 pas hetimeve mbi korrupsionin amerikan dhe zviceran që detyroi paraardhësin Sepp Blatter të linte detyrën.

Kurse Lauber u rrëzua si Prokuror i Përgjithshëm i Zvicrës vitin e kaluar. Ai u zbulua se kishte mashtruar dhe penguar prokurorët federalë të cilët kërkonin më shumë informacion në lidhje me takimet e Infantinos.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco