Batatina flet për ndeshjen kundër Prishtinës në Kupën e Kosovës

Batatina flet për ndeshjen kundër Prishtinës në Kupën e Kosovës

18:02, 23/03/2021

Sot është mbajtur ceremonia e hedhjes së shortit për gjysmëfinalen e Kupës së Kosovës në futboll, ku do të takohen Istogu-Dukagjini dhe Prishtina-Llapi.

Me këtë rast, trajneri i klubit të Llapit Tahir Batatina kërkoi vëmendje nga lojtarët e tij, pasi kjo ndeshje cilësohet si derbi lokal, por duke mos e nënvlerësuar një kundërshtar të fortë sikurse skuadra e Prishtinës.

“Mendoj se gjithmonë në Kupë duhet të jesh i kujdesshëm dhe i vëmendshëm. Ne e dimë që na pret një ndeshje e vështirë, dy skuadra që ndoshta është dashur të jenë në finale, për arsye se është një derbi lokal mes Prishtinës dhe Llapit. Por tash i kemi dy derbi, se zhvillohen dy ndeshje, sido që të jetë Prishtinën e respektojmë, e cila ka skuadër cilësore, por Llapi ka objektivat e veta. Kjo do të thotë që ne duhet t’i qasemi kësaj ndeshje me seriozitetin më të madh, të jemi të vëmendshëm, të vetëdijshëm. I kemi këtu tri ndeshje, të cilat për neve janë tri finale, dhe duhet ta japim maksimumin për të arritur deri në finale dhe t’ia arrijmë kurorëzimit që Llapi e ka kërkuar me vite, por gjithmonë duke e ditur se Prishtina është një skuadër shumë e fortë dhe duhet që gjithmonë të japim maksimumin që ta arrijmë objektivin”, tha Batatina.

Ndërsa, përfaqësuesi i Dukagjinit Valon Duraku tha se klubi i tij ka një përparësi, pasi evitoi në gjysmëfinale skuadrat e Superligës, Prishtinën dhe Llapin.

“Mendoj që është një përparësi jashtëzakonisht e madhe. Befasia më e madhe deri tash ka qenë se për Kupë kanë arritur për herë të parë në gjysmëfinale dy skuadra nga Liga e Parë. Ne e njohim ekipin e Istogut, i dimë kualitetet e tyre, dhe mendoj se do të jetë një gjysmëfinale jashtëzakonisht e mirë. Dhe për herë të parë ndoshta në finalen e Kupës së Kosovës do të kemi një ekip nga Liga e Parë dhe mendoj që do të jetë befasia më e mirë e kësaj Kupe. Pasi tashmë që njëra, ose ne ose Istogu do të jemi finalistë, mendoj që ne e kemi ekipin më të mirë dhe mendoj që do të jemi befasi e Kupës së Kosovës”, tha Duraku.

Edhe drejtori i klubit të Istogut, Fazli Bytyqi, u shpreh i kënaqur që në gjysmëfinale nuk do të përballen me skuadrën e Prishtinës.

Bytyqi: Kam pasur dëshirë vetëm Prishtina mos të na bie në gjysmëfinale

“Kemi ardhur deri këtu me qetësi, nuk kemi bërë bujë, jo jemi të mirë jo s’jemi të mirë. Ne gjithmonë shkojmë kështu, ecim përpara. Kam kërkuar, kam pasur dëshirë vetëm Prishtina mos të na bie, për këto tjerat nuk e kam kasavet, edhe Llapi edhe Dukagjini nuk na frikësojnë shumë. Edhe ne e synojmë Kupën sikur ata”, tha Bytyqi.

Ndeshjet e para gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në futboll do të luhen më datën 7 prill, ndërsa ato të kthimit më 21 prill.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco