Pandemia dërrmon futbollin kosovar

Pandemia dërrmon futbollin kosovar

13:57, 15/03/2021 Nga Ç.D

Pandemia Covid-19 ka ndikuar në shumë fusha, duke mos lënë anash as sportin.

E, pandemisë nuk i ka shpëtuar as futbolli i Kosovës, gjë që bëri të ndikojë negativisht tek klubet kosovare, por, edhe te Federata e Futbollit të Kosovës.

Në një intervistë për Syri.net Kosova, ka folur Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Eroll Salihu, i cili fillimisht deklaroi se ky virus ka shkaktuar dëme të mëdha jo vetëm në FFK, por, edhe në organet më të larta të futbollit, duke i dëmtuar në masë të madhe financiarisht.

Por, jo vetëm FFK është dëmtuar nga ky virus, ata që priten të kenë probleme të mëdha të rimëkëmben janë edhe klubet kosovare.

Salihu është deklaruar edhe rreth “kushteve” të cilat shteti i Spanjës kinse i ka vendosur ekipit kosovar për organizimin e ndeshjes kundër Kosovës, lajm ky që bëri një bujë të madhe në opinionin kosovar, e jo vetëm.

Për këto dhe më shumë ndiqeni bisedën e plotë:

Syri.net Kosova: Si ka ndikuar pandemia në aspektin financiar të FFK-së dhe të ekipeve të Republikës së Kosovës, ku duhet kemi parasysh që edhe ndeshjet po zhvillohen pa tifozë?

Eroll Salihu:  Gjithsesi FFK ka bartur pasoja të shumta në të gjitha aspektet, dhe jo vetëm financiare. Përpos ekipeve Përfaqesuese kanë vuajtur edhe grupmoshat e reja, realizimi i projekteve kapitale etj. FFK është dashur t'i ndihmojë klubet e deri te shkollat e futbollit.Të gjithë kemi pësuar. Por edhe klubet kanë vuajtur për shkak se sponzoret e tyre janë dëmtuar nga ngecja e ekonomisë por edhe nga mungesa e shikuesve

Syri.net Kosova: Çfarë ndikimi ka pasur në motivimin e ekipeve dhe në cilësinë e rezultateve si brenda dhe jashtë fushës së gjelbërt?

Eroll Salihu:  Ndeshjet pa tifozeri janë si një vepër pa shpirt artistik. Mungon motivimi për lojtaret por edhe për sponzorët.

Syri.net Kosova: Cila është gjendja reale e tanishme e ekipeve kosovare rreth lojtarëve të prekur nga COVID-19 dhe a ka vështirësi në gjetjen e kushteve të nevojshme për shërimin e tyre?

Eroll Salihu: FFK ka ndihmuar klubet me mjete sanitare por edhe me ekipe mjekësore, për të iu përmbajtur rekomandimeve strikte të IKSHPK-së. Jemi të gatshëm për çdo scenario por të gjithë duhet të marrin përgjegjesitë e tyre.Tani është situata e mirë dhe nën kontroll.

Syri.net Kosova: Sipas MSH-së dhe IKSHPK-së, në Kosovë ka nisur vala e re e virusit dhe rastet pozitive me këtë virus, sa vijnë e rriten. A do të ketë ndikim në ndryshimin e orareve të ndeshjeve apo edhe anulimin e përkohshëm të kampionatit nëse gjërat përkeqësohen?

Eroll Salihu: Besoj se do të gjejmë mënyra që të kalojmë këtë gjendje dhe të përfundojmë kampionatin.

Syri.net Kosova: Pse ka dështuar Përfaqësuesja në rekrutimin e lojtarëve të rinjë në ekipin A të Kosovës?

Eroll Salihu: FFK ka bërë dhe bën një punë të jashtëzakonshme për gjetjen e më të mirëve për Përfaqësueset tona. Rekrutim është fjalë e gabuar. Kemi një ekip të talentuar që mund të luajnë edhe një dekadë së bashkë. Ua lëmë trajnerëve dhe profesionistëve përzgjedhjen e tyre e jo ndikimeve nga jashtë.

 Syri.net Kosova: Si i komentoni publikimet e fundit nga mediat e ndryshme për “kushtet” të cilat shteti i Spanjës kinse i ka vendosur ekipit kosovar për ndeshjen mes këtyre ekipeve dhe demantimin e bërë nga Federata Spanjolle?

Eroll Salihu: Kemi reaguar  dhe kemi treguar se nuk mund të lejojmë nëpërkëmbjen e simboleve tona. Kemi reaguar me qetësi por me vendosmëri. Vetë Presidenti Spanjoll ka folur me Presidentin Ademi, duke e siguruar se çdo gjë do të shkojë mirë.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco