Ndryshimi i shpeshtë i trajnerëve, “virusi” i futbollit kosovar

Ndryshimi i shpeshtë i trajnerëve, “virusi” i futbollit kosovar

13:16, 15/03/2021

Dukuria e ndryshimit të trajnerëve në elitën e futbollit kosovar brenda edicionit duket se është bërë e zakonshme.

Klubet kosovare nuk shquhen për “durim” dhe nuk hezitojnë t’i ndryshojnë trajnerët kohë pas kohe qoftë në fillim, mes apo fund të kampionatit.

Edhe këtë edicion, sikur në vitet e kaluara, klubet elitare kosovare nuk e kanë harruar “zakonin” e tyre.

“Kampion” i kësaj dukurie këtë edicion është Gjilani.

Klubi gjilanas është paraqitur me tre trajnerë këtë edicion. Fillimisht, gjilanasit e nisën edicionin me Gentjan Mezanin, për të vazhduar me Bylbyl Sokolin, kurse tani shef shtafi e kanë Ismet Munishin.

Me dy trajnerë këtë edicion u paraqitën deri më tash edhe Ballkani, Drenica, Feronikeli dhe Besa.

Ballkani e shkarkoi Ismet Munishin në fund të vitit të kaluar, për ta emëruar Bledi Shkëmbin në krye të shtabit teknik.

Kurse, Drenica e largoi Fadil Ramën shkaku i rezultateve të dobëta, por as me Bledar Devollin tani nuk e ka gjetur rrugën e duhur, teksa Feronikeli e nisi me Afrim Tovërlanin për të vazhduar me Klodian Duron.

Ndërkaq, Besa e Pejës e nisi edicionin me francezin Jerome Klein, i cili nga stinori pranveror kaloi në postin e drejtorit sportiv, për t’ia liruar vendin Leotrim Krasniqit.

Trajnerët e klubeve elitare kosovare përgjatë edicionit 2020/21:

  • Drita – Ardian Nuhiu
  • Ballkani – Ismet Munishi, Bledi Shkëmbi
  • Prishtina – Zekirija Ramadani
  • Gjilani – Gentjan Mezani, Bylbyl Sokoli, Ismet Munishi
  • Trepça ’89 – Shpëtim Idrizi
  • Feronikeli – Afrim Tovërlani, Klodian Duro
  • Llapi – Tahir Batatina
  • Arbëria – Arbnor Morina
  • Drenica – Fadil Rama, Bledar Devolli
  • Besa – Jerom Klein, Leotrim Krasniqi

Duraku: Dukuria e ndryshimit të trajnerëve, një virus në futbollin kosovar

Trajneri dhe njohësi i zhvillimeve në futbollin kosovar, Fahredin Duraku e ka komentuar çështjen e ndryshimit të trajnerëve.

Sipas tij, klubet janë duke gabuar në lidhje me këtë drejtim, derisa një dukuri të tillë e ka quajtur “virus”.

“Është një virus në futbollin kosovar që të ndryshohen trajnerët. Një trajner duhet ta ketë klubin me një strategji dhe njerëzit adekuat të kësaj lamie. Duhet të shikohet se a i përshtatet klubit dhe filozofia dhe pastaj të merret ai dhe jo me pallavra. Njëherë e përgjithmonë, kjo dukuri duhet të largohet. Udhëheqësitë nuk kanë durime, rezultatet s’vijnë shpejtë, kjo ndodhë edhe në Evropë. Futbolli nuk është ‘shtizë magjike’ që të ndryshojnë menjëherë gjërat. Andaj duhet t’i shikojnë me kujdes gjërat dhe kë e marrin për trajner klubet tona”, deklaroi ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco