Një paraqitje të shkëlqyer ka dhuruar mbrëmjen e së dielës mbrojtësi shqiptar që luan në radhët e Napolit, Elseid Hysaj.
Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin ‘San Siro’ kundër Milanit, Hysaj ka zhvilluar një ndeshje mjaft të mirë, duke qenë vendimtar në disa raste për gol nga ana e ekipit milanez.
Shkodrani që u hodh në fushë që në minutën e parë nga trajneri Gennaro Gattuso u vlerësua me notën 7.6 nga uebsajti i specializuar për statistikat, “SofaScore”, duke qenë kështu lojtari i dytë më i mirë i ndeshjes pas portierit të Napolit, Davide Ospina.
Sipas të dhënave, Hysaj ka qenë 73.7% i saktë në pasime në të gjithë ndeshjen dhe ka arritur të fitojë 7 nga 9 duele në fushën e lojës dhe 1 nga 3 duele në ajër.
Kjo ka qenë një fundjavë fantastike për Kombëtaren Shqiptare, me paraqitjet e mira të futbollistëve tanë, duke filluar nga mbrojtja me Elseid Hysaj, në mesfushë me Endri Çekiçin, i cili shënoi gol në Turqi dhe duke mbërritur në vijën e sulmit ku Myrto Uzuni shënoi golin e 9-të me Ferencvarosh.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: