VIDEO/ Milani thyhet nga Napoli në ‘San Siro’, shkëputet në -9 pikë nga Interi

VIDEO/ Milani thyhet nga Napoli në ‘San Siro’, shkëputet në -9 pikë nga Interi

22:50, 14/03/2021

Napoli është gjithmonë e më pranë zonës Champions të renditjes.

Të kaltrit ia kanë dalë të fitojnë me rezultatin minimal 0-1 në transfertën e vështirë të “San Siro”-s ndaj Milanit dhe të ngjiten në vendin e 5-të me 50 pikë dhe një ndeshje më shumë për të luajtur.

Pjesa e parë kishte një ritëm të lartë, por të dy skuadrat u kujdesën më shumë për fazën mbrojtëse, sesa për të shënuar dhe rrallë arritën të shkojnë rrezikshëm në portat kundërshtare.

Rastet e vetme për shënim i pati mesfushori polak Zielinski, por goditja e tij e parë u ndal nga Donnarumma në dy kohë dhe më pas në një moment tjetër topi shkoi jashtë, ngjitur me shtyllën.

Pjesa e dytë nisi menjëherë me gol për Napolin, pasi polaku Zielinski lëvizi mirë dhe gjeti në zonë sulmuesin Mateo Politano, i cili gjuajti menjëherë dhe mposhti Donnarummën.

Vetëm pak minuta më vonë ishte Fabian Ruiz që pati në këmbë golin që mund të mbyllte llogaritë, por gardiani i Milanit reagoi me një pritje spektakolare.

Stefano Pioli kërkon ndihmë nga pankina, pasi bën 3 zëvendësime menjëherë duke rifreskuar sulmin, por skuadra nuk ka forcë të çajë mbrojtjen me forca të shumta të napolitanëve.

Ante Rebic shkoi pranë golit të barazimit, por Ospina reagoi me një refleks tipik, duke grushtuar topin.

Kroati tentoi sërish të gjejë golin, por gjuajtja e tij në minutën e 78-të u bllokua nga mbrojtja, ndërsa në shtesë Rebic humbi toruan dhe u ndëshkua me karton të kuq, duke ikur në dhomat e zhveshjes para shokëve të skuadrës.

Kjo humbje konfirmon momentin e vështirë dhe me oshilacione që po kalon Milani, pasi kuqezinjtë tani kanë mbetur 9 pikë larg Interit kryesues dhe po komplikojnë edhe Europën, ndërsa Napoli shkon edhe më pranë zonës Champions, pasi tani ka vetëm dy pikë më pak se Atalanta.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco