Flamuri i Kosovës do të shfaqet në Sevilla të Spanjës

Flamuri i Kosovës do të shfaqet në Sevilla të Spanjës

14:58, 11/03/2021

Më 31 mars të këtij viti, pritet që të zhvillohet ndeshja kualifikuese e Botërorit “Katar 2022” ndërmjet Përfaqësueses së Kosovës dhe asaj të Spanjës në stadiumin “Estadio La Cartuja” në Sevilla.

Mirëpo Spanja është një nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës.

Andaj, është ngritur çështja se a do të lejojë Qeveria e Spanjës që të shfaqet flamuri i Kosovës dhe të intonohet himni i saj gjatë kësaj përballjeje sportive.

Federata spanjolle të martën përmes një shkrimi në Twitter, i është referuar Kosovës si “territori i Kosovës” dhe kjo gjë ka nxitur reagimin e FFK-së.

“Qasja e shtetit spanjoll në drejtim të shtetit të Kosovës fatkeqësisht ka qenë destruktive që nga shpallja e Pavarësisë më 17 shkurt 2008, por kjo qasje dhe makijazhi që institucionet e këtij vendi mundohen t’i bëjnë shtetësisë së Kosovës, nuk mund ta ndryshojnë dot historinë dhe realitetin, thuhet në reagimin e FFK-së”.

“Kosova është shtet i pavarur, i pranuar nga shumica e vendeve më të zhvilluara e demokratike të globit dhe anëtare e barabartë me të gjitha shtetet tjera në UEFA e FIFA, që nga maji i vitit 2016”.

“Përpjekja e spanjollëve për ta minimizuar shtetësinë e Kosovës në ndeshjen e 31 marsit për kualifikimet e Botërorit “Katar 2022”, duke iu referuar Kosovës si territor, është e kotë dhe e padrejtë. Ata janë të vetëdijshëm se në këtë datë do të përballen me Kombëtaren e Kosovës, e cila do të paraqitet si çdo shtet tjetër”.

Pas kësaj gafe, kryetari i FFK-së Agim Ademi ka njoftuar se e ka pranuar një telefonatë nga Federata e Futbollit të Spanjës (RFEF) përmes së cilës i është shprehur keqardhje për lajmet e publikuara në disa media spanjolle.

“Me këtë rast RFEF ka shprehur keqardhje për lajmet e publikuara në mediat e atjeshme dhe ka konfirmuar se ndeshja Spanjë – Kosovë do të zhvillohet konform rregulloreve dhe protokollit të FIFA-s dhe UEFA-s për ndeshje zyrtare”.

“Po ashtu, Federata e Futbollit e Spanjës ka shprehur mikpritjen e tyre për Kombëtaren e Kosovës dhe u tregua e hapur në bashkëpunim për çfarëdo nevoje që mund të ketë FFK-ja”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Ademi përmes telefonit ka biseduar edhe me zyrtarët e UEFA-s. Sipas tij, këta të fundit e kanë kontaktuar për ta sqaruar situatën e krijuar së fundmi dhe ia kanë konfirmuar se gjithçka është në rregull dhe se ndeshja do të zhvillohet ashtu siç është paraparë. /KlanKosova/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco