Tre penallti, plot 6 gola të shënuar dhe raste pa fund në sfidën mes Sassuolos dhe Napolit në “Mapei Stadium”, që u mbyll me barazimin 3-3 dhe të dy skuadrat u detyruan të kënaqen me nga një pikë.
Pas një goli të anuluar të Insignes, për pozicion jashtë loje, sfida u zhbllokua në minutën e 34-të nga një autogol i mbrojtësit Maksimovic, që devijoi topin në rrjetën e portës së Meret dhe i dha avantazhin Sassuolos.
Vetëm 4 minuta më vonë skuadra e Gattusos riktheu baraspeshën me një gol mjaft të bukur të Zielinskit, megjithatë në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, vendasit fituan një penallti, të cilën e shndërroi në gol Domenico Berardi.
Pjesa e dytë ishte gjithashtu me ritëm mjaft të lartë dhe spektakël, teksa në minutën e 72-të ishte mbrojtësi anësor Di Lorenzo që shënoi në portën e Sassuolos dhe barazoi shifrat në 2-2.
Minutat e fundit ishin mjaft emocionuese, pasi fillimisht arbitri akordoi një penallti për Napolin, të cilën e shndërroi në gol Lorenzo Insigne, por kur dukej se skuadra e Gattusos do të merrte tre pikët, greku Manolas shkaktoi një penallti naive në aksionin e fundit të vendasve.
Nga pika e bardhë këtë herë shkoi sulmuesi i Sassuolos, Caputo, i cili gjuajti saktë dhe riktheu baraspeshën, duke bërë që sfida të mbyllej me rezultatin 3-3 dhe të dy ekipet të ndanin nga një pikë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: