Bayerni i Mynihut u jep shpresë rivalëve për titullin e Bundesligës.
Skuadra bavareze u mund 2-1 nga Eintrachti i Frankfurtit në “Deutsche Bank Park”, ku ndjeu mungesat e shumta për arsye dëmtimesh dhe të infektimit me COVID-19.
Në pak më shumë se gjysmë ore lojë, Bayerni pësoi dy gola, të parin në minutën e 12-të me autor Kamadan, ndërsa atë të 2-0 në të 31-tën, nga këmbët e Younes.
Gjatë pjesës së dytë, kampionët në fuqi arritën ta tundnin rrjetën me të zakonshmin Lewandowski në minutën e 53-të, por saktësinë e sulmuesit polak nuk e kishte Kinsley Coman, që nuk arriti të shënonte në dy mundësi të mira që pati.
Kryesori bëri me shenjë nga pika e bardhë e penalltisë (në favor të vendësve), në minutën e 79-të, por pasi u konsultua me sistemin VAR ndryshoi vendim.
Asgjë nuk ndryshoi në minutat e mbetura, me Bayerni që regjistroi humbjen e tretë në Bundesligë, por mbetet në pozita komode në krye, me pesë pikë më shumë se Leipzig.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: