Martini: Jam i kënaqur me paraqitjen e skuadrës, por duhet t'i vrasim ndeshjet

Martini: Jam i kënaqur me paraqitjen e skuadrës, por duhet t'i vrasim ndeshjet

18:52, 12/02/2021

Teuta siguroi fitoren e dytë radhazi në shtëpi. Durrsakët mposhtën me rezultatin e pastër 2-0 Skënderbeun e Migen Memellit.

Pas ndeshjes, tekniku i bregdetarëve, Edi Martini dha një intervistë për mediat, ku vlerësoi paraqitjen e të tijve në pjesën e parë, por pati rezerva për rastet e shpërdoruara nga të tijtë.

Çfarë ndodhi me ekipin, që ra shumë në pjesën e dytë?

Ndaj Apolonisë javën e kaluar nuk luajtëm mirë, por sot në pjesën e parë ishim të shkëlqyer. Dominuam dhe gjetëm një gol, por mund të shënonim më shumë. Në pjesën e dytë Skënderbeu sulmoi më shumë dhe na vuri në vështirësi, por edhe ne kishim shanset tona që ta mbyllnim shumë më shpejt ndeshjen.

A i keni bërë ndonjë kompliment Karabecit për golin e shënuar sot?

Erando dihet që ka cilësi për të shënuar gola të tillë, megjithatë do të doja që ai gol të vinte më parë, për të parë ndeshjen më me qetësi. Gjithsesi ishte një gol i shkëlqyer dhe e komplimentoj.

A mund ta menaxhonit më mirë pjesën e dytë?

Sigurisht që mund të bënim më mirë, pasi i kishim rastet për ta vrarë ndeshjen dhe nuk e bëmë këtë. Unë jam i kënaqur me paraqitjen e skuadrës sot, ndonëse në pjesën e dytë pati pak panik, pasi jemi në një fazë ku loja ka rëndësi, por prioritet është marrja e pikëve.

A i keni bërë llogaritë mirë me merkaton, pasi sot luajtët me Aleksin në mbrojtje? Kur do ta shohim Teutën të mbyllë ndeshjet?

Në fakt llogaritë i kemi bërë mirë, pasi kemi Pjeshkën si qendërmbrojtës, por sot ishte i dëmtuar edhe ai, përveç Hoxhës. Për të mbyllur ndeshjet, ndoshta duhet më shumë qetësi dhe ne nuk e kemi pasur këto kohë, edhe për vetë ecurinë e sezonit.

A prisni ndonjë dhuratë nesër nga ekipet e tjera?

Kemi kaq javë që presim dhurata dhe nuk kemi marrë. Tani që po shohim punët tona, duket se po vjen diçka, ndaj më mirë të përqendrohemi te ndeshjet tona.

A mendoni se Teuta është më e varur seç duhet nga Dejvi Bregu?

Është e vërtetë që Bregu po bën shumë mirë, por në fund të fundit kjo është detyra jonë, që gjithsecili të bëjë mirë punën e tij. Sot ishte dita e Bregut, por në ndeshje të tjera do të jetë radha e Vilës apo Krasniqit që të na japin fitoren. Rëndësi ka që të marrim pikët.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco