Daja: Partizani ka një ‘marsh’ më shumë, jemi përmirësuar

Daja: Partizani ka një ‘marsh’ më shumë, jemi përmirësuar

13:29, 12/02/2021

Partizani e shfrytëzoi maksimalisht javën e fundit të kampionatit, duke iu afruar kreut të Superiores me 6 pikë.

Humbjes së Vllaznisë kryesuese iu kundërpërgjigj me fitore në Ballsh dhe tani oreksi është shtuar.

Pengesa e radhës është Kastrioti, një kundërshtar që po iu bën gjëmën të mëdhenjve në këtë kampionat.

Trajneri Ilir Daja foli në konferencën për shtyp për sfidën e nesërme në kampionat kundër krutanëve: “Edhe pse jemi në të njëjtin pozicion, që kemi qenë në fundin e fazës së parë, pra pozicionohemi të dytët, kemi një marsh më shumë. Në fazën e dytë kemi 5 pikë më shumë se në fazën e parë. Kemi pasur më shumë stabilitet dhe ngritje. Pesë pikët më shumë do të thonë që gjërat kanë ardhur në përmirësim.

Kastrioti? Është një ekip pragmatist. Vjen nga dy fitore dhe ka moral të mirë, njësoj si ne. Kemi vetëm rezultate pozitive në vitin 2021. Në dy fazat e para, kemi një ndeshje të humbur dhe një të fituar ndaj krutanëve. Është një ndeshje e vështirë. Nëse nuk do të jemi me motivimin e duhur, do ta vështirësojmë situatën.

Kastrioti ka një tjetër moral, është i qetë, nuk është nën presion për të bërë sforco të mëdha. Duhet të jemi të përqendruar dhe të motivuar maksimalisht gjatë 90 minutave, në mënyrë që edhe ato pak problemet e terrenit t’i minimizojmë duke shtuar dozën e dyluftimeve dhe të përqendrimit në maksimum.

Do të bëjmë gabimin më të madh nëse shohim diferencën që kemi me Vllazninë. Ne duhet të fokusohemi te ndeshjet tona, sepse nuk ka asnjë të mirë nëse shikojmë se çfarë bën Vllaznia. Jemi 4-5 ekipe që rivalizojmë me Vllazninë. Duhet të shikojmë ndeshjet tona. Vllaznia humbi javën e fundit, por do të ishte e njëjta diferencë nëse nuk do të fitonim në Ballsh.

Ndeshje jetike është ajo që kemi nesër kundër Kastriotit. Tani jemi pak më të qetë për të bërë rotacione. Në mesjavë do të na duhet të bëjmë rotacion, për të mbajtur freskinë e ekipit. Ne duhet të bëjmë lojën tonë nesër. Kastrioti ka një mënyrë loje, por ndaj Kukësit e interpretoi ndryshe manovrën. Përgjithësisht pret në gjysmëfushën e tij. Ka disa sulmues që e ndërtojnë shumë mirë kundërsulmin, kështu që nuk duhet të jemi të çekuilibruar, ashtu siç na gjeti të papërgatitur në ndeshjen e parë të sezonit.

Do të jetë një ndeshje që do ta fitojë ai që do të gabojë më pak. Ne nuk jemi një ekip agresiv. Dyluftimet nuk i kemi armën tonë më të fortë, pavarësisht se në ndeshje si ajo ndaj Skënderbeut në Korçë, ku terreni ishte i mbuluar me borë, të gjithë lojtarët pothuajse i fituan dyluftimet. Duhet të bëjmë lojën tonë, nuk është s’e kemi frikë nga dyluftimet. Futbolli është lojë me dyluftime. Kemi karakteristika të tjera në raport me kundërshtarin. Shpresojmë të dalim në lojën tonë dhe ta drejtojmë ne ndeshjen. Në të kundërt, do ta vështirësojmë jashtë mase.

Ferhan Hasani mund të ketë disa minuta, varet si do të shkojë ndeshja. Gjendja e tij tashmë mund të përballojë disa minuta lojë, pa pasur probleme me dëmtime. Mund të ishte futur edhe në Ballsh. Do t’i kenë minutat, si ai, si Dominguez, në momentin që do të kenë gjendjen më të mirë, që të shprehen në maksimumin e tyre”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco