Superliga s’ka pushim, përcaktohet kalendari i ndeshjeve të para të fazës së tretë

Superliga s’ka pushim, përcaktohet kalendari i ndeshjeve të para të fazës së tretë

11:16, 08/02/2021

Me sfidën e djeshme Kukësi-Kastrioti (0-1) përfundoi edhe gjysma e parë e sezonit në Kategorinë Superiore, që nuk do të bëjë pushim, pasi skuadrat do të kthehen sërish në fushë fundjavën e ardhshme për të nisur me ndeshjet e fazës së tretë.

Gjithçka do të startojë të premten në mbrëmje, ku Teuta do të luajë sërish në shtëpi, këtë herë përballë Skënderbeut dhe do të provojë të regjistrojë një tjetër sukses, për të shkuar edhe më pranë kreut të renditjes.

“Djemtë e detit” vijnë pas fitores minimale 1-0 ndaj Apolonisë, që i ka çuar në kuotën e 30 pikëve, 7 më pak se Vllaznia kryesuese, por që të vijojnë të pretendojnë për titull, janë të dënuar të fitojnë ndaj korçarëve.

Të shtunën do të luhen 4 ndeshjet e tjera, të cilat janë shpërndarë në dy fasha orare.

Kështu vëmendja maksimale do të jetë në “Selman Stërmasi” ku Tirana do të presë Kukësin me sfidën që do të startojë në orën 14:00.

Po në orën 14:00 Partizani do të matë forcat me Kastriotin, një skuadër që veçanërisht në fushën e vet ka treguar se është “një kockë e fortë” dhe mund t’i hapë punë çdo ekipi. Krutanët janë në pozita të qeta në renditje, ndërsa kryeqytetasit janë të dënuar të fitojnë, për të mos humbur kontaktet me kreun.

Pas fitores në Shkodër, që e riktheu edhe në garë për titullin kampion, laçi do të udhëtojë drejt Ballshit, për t’u përballur me Bylisin, të shtunën në orën 14:00 në stadiumin “Adush Muça”.

Në orën 17:00 vëmendja do të spostohet në “Loro Boriçi” ku Vllaznia do të presë Apoloninë. Kryesuesit e kampionatit nuk fitojnë prej 3 javësh dhe kanë parë t’u reduktohet edhe diferenca me ndjekësit, ndaj përballë fierakëve duhet të rikthehen të marrin 3 pikët, për të mos komplikuar një sezon të nisur në mënyrë perfekte.

Kalendari i javës së 19-të

E premte, ora 18:00

Teuta-Skënderbeu

E shtunë, ora 14:00

Tirana-Kukësi

Kastrioti-Partizani

Bylis-Laçi

E shtunë, ora 17:00

Vllaznia-Apolonia

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco