Gara për trofeun e çmuar

Gara për trofeun e çmuar

12:49, 01/02/2021

Këtë javë palestra “13 Qershori” do të jetë arenë e ndeshjeve të Final 8 Kupës së Kosovës Vllesa&Pagesa. Tetë skuadrat e Superligës së meshkujve, dy finalistet në konkurrencën e femrave dhe katër skuadrat e Ligës së Parë të Meshkujve do të garojnë për trofetë të çmuar në basketbollin e Kosovës. 

Nga dita e mërkurë deri të dielën pritet spektakël i basketbollit me shumë përballje interesante dhe dramatike. 

Sfidat fillojnë të mërkurën, ku Rahoveci do të përballet me Trepçën. Këto dy skuadra ishin ballafaquar edhe vitin e kaluar, ku Vreshtarët kaluan tutje në një sfidë shumë dramatike. Trofeu i Kupës është shumë i dëshiruar për të dy skuadrat, që do të japin maksimumin për të triumfuar dhe për tu kualifikuar në gjysmëfinale.

Golden Eagle Ylli-Bashkimi është sfida tjetër që po pritet me interesim të madh. Therandasit janë më favoritë, por prizrenasit nuk dorëzohen dhe synojnë të arrijnë sa më lartë. Bashkimi kishte arritur edhe në finale të Superkupës, ku ishte mundur nga Sigal Prishtina.

Ponte Prizreni dhe Vëllaznimi përballen të enjten, me të dy skuadrat që duan kualifikimin tutje, ndërsa sfida e fundit çerekfinale është mes rivalëve të vjetër në basketbollin e Kosovës Pejës dhe Sigal Prishtinës. Pejanët fituan Kupën edicionin e kaluar, kurse prishtinasit janë skuadra më e trofeshme në vend, ku sigurisht se duan të shtojnë edhe një trofe në sirtar.

Ndeshjet gjysmëfinale do të zhvillohen të premten, kur do të zhvillohet edhe finalja e Kupës në Ligën e Parë. Ndërkohë, të dielën më 7 shkurt do të jetë dita e finaleve. Derisa në konkurrencën e meshkujve finalistët ende nuk janë përcaktuar, në konkurrencën e femrave do të përballen Prishtina dhe Bashkimi.

Këto dy skuadra në vitet e fundit kanë luftuar për trofe, si në Kupë, Superligë dhe Superkupë, andaj pritet një sfidë shumë interesante mes këtyre dy skuadrave me traditë në basketbollin e Kosovës. 

Me përforcimet që kanë bërë, të dy skuadrat do të luftojnë deri në fund për të triumfuar në Kupë.

Orari

E mërkurë
13:00 Istogu - RC Cola Drita  
16:00 Grupi B: Rahoveci - Trepça
18:30 Hapja solemne 
19:00 Grupi C: Golden Eagle Ylli - Bashkimi

E enjte
13:00 Marigona Hill Prishtina - AS Prishtina
16:00 Grupi D: Ponte Prizreni - Vëllaznimi
19:00 Grupi A: Peja - Sigal Prishtina

E premte
13:00 Finalja: Kupa e Ligës së Parë
16:00 Gjysmëfinalja e I (Fituesit e grupit B-C)
19:00 Gjysmëfinalja e II (Fituesit e grupit D-A)

E diel
14:00 Finalja e Femrave
17:30 Finalja e Meshkujve

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco