Java e 13-të e Superiores përfundoi sot me barazimin 1-1 mes Partizanit dhe Apolonisë.
Mbyllja e raundit të radhës së kampionatit shikon Vllazninë të shkëputur me 9 pikë nga ndjekësit më të afërt, Partizani, Laçi dhe Teuta.
Shkodranët fituan ndeshjen e rëndësishme ndaj Teutës me golin e Ardit Hoxhajt duke shkuar në kuotën e 29 pikëve.
Humbja e parë e durrsakëve në këtë sezon i jep mundësi Laçit të Shpëtim Duros të barazojë me pikë Partizanin pas fitores 3-2 sot ndaj Kukësit.
Partizanit të Dajës i ikën në fund mundësia të fitojë ndaj Apolonisë teksa fierakët barazuan me penallti.
Të kuqtë, kurbinasit dhe durrsakët kanë të njëjtën kuotë pikësh (20).
Tirana renditet në vendin e pestë me 17 pikë. Prej 5 ndeshjesh radhazi, bardheblutë nuk e njohin fitoren dhe e shikojnë vendin e parë 12 pikë larg.
Kukësi zhytet në krizë teksa pësoi sot humbjen e tretë radhazi në kampionat.
Verilindorët u mposhtën në Laç dhe tani renditen në vendin e gjashtë, me pikë të barabarta me Tiranën.
Kastrioti zbret në vendin e shtatë me po kaq pikë sa Tirana dhe Kukësi. Krutanët morën një pikë të çmuar në shtëpi ndaj Skënderbeut.
Bylisi qëndron në vendin e tetë me 12 pikë, por i duhet të rikuperojë 5 pikë diferencë për të shmangur ndeshjen e “play-out” për të qëndruar në Superiore.
Skënderbeu dhe Apolonia qëndrojnë në vendet 9-të dhe 10-të, por barazimet që morën sot japin shpresë që situata e tyre mund të ndryshojë për mirë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: