VIDEO/ Partizani-Apolonia, një penallti e dyshimtë në fund vendos rezultatin

VIDEO/ Partizani-Apolonia, një penallti e dyshimtë në fund vendos rezultatin

18:51, 09/01/2021

Një penallti në sekondat e fundit të lojës, i hoqi dy pikë Partizanit , që nuk shkoi përtej barazimit 1-1 ndaj Apolonisë në “Elbasan Arena” dhe u rikthye në vendin e dytë, në kuotën e 20 pikëve, por tani plot 9 pikë larg Vllaznisë kryesuese.

“Të kuqtë” e nisën vrullshëm takimin dhe u hodhën menjëherë në sulm, duke ushtruar presion lart dhe duke mbajtur fierakët në gjysmëfushën e tyre, por ishin të paqartë në pasimin e fundit dhe nuk arritën të kërcënojnë kuadratin e portierit Harizaj.

Me kalimin e minutave, Apolonia fitoi terren dhe filloi të zbresë shpesh në kundërsulme të rrezikshme, por rrallë shkoi kërcënueshëm në portën e Alban Hoxhës, që pati shumë pak punë në pjesën e parë.

Edhe pjesa e dytë pati të njëjtën tablo, me Partizanin që qarkullonte dendur topin dhe kërkonte të gjente të çara në mbrojtjen fierake, por rastet e shënimit ishin me pikatore dhe ato pak u zgjidhën mirë nga portieri Harizaj.

Trajneri Daja bëri disa ndryshime në repartin e avancuar, duke hedhur në fushë emra si Lucas Cardozo e Cara, dhe pikërisht ky i fundit shënoi golin me vlerë tre pikëshe, pas një gjuajtjeje të saktë në zhvillimet e një goditjeje nga këndi, ku mbrojtësit fierakë gabuan në largimin e topit.

Goli i “të kuqve” zgjoi Apoloninë, që ndërtoi disa aksione të rrezikshme dhe pikërisht në sekondat e fundit shtesë, Broja prek një top me dorë brenda zonës në mënyrë të pavullnetshme dhe arbitri nuk ngurron të akordojë penallti.

Ekzekutimin e mori përsipër Zaimi, i cili gjuajti në mënyrë perfekte dhe mposhti Alban Hoxhën, duke rikthyer baraspeshën dhe duke u dhënë një pikë me mjaft vlera fierakëve, që do t’u duhet të luftojnë shumë për mbijetesën këtë sezon.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco