Gurishta: Tirana? Është klasikja e Shqipërisë, por...

Gurishta: Tirana? Është klasikja e Shqipërisë, por...

19:21, 29/12/2020

Nën cilësinë e kapitenit të Vllaznisë, Erdenis Gurishta doli sot në konferencën për shtyp në krah të trajnerit Thomas Brdaric. Mbrojtësi anësor shkodran vlerësoi maksimalisht përballjen e nesërme ndaj Tiranës dhe komentoi edhe zërat për të ardhmen e tij.

Sa e rëndësishme është për ju ndeshja me Tiranën?
Është ndeshje shumë e rëndësishme, është klasikja e Shqipërisë, por ne e kemi si ndeshjen e radhës, ashtu si ajo ndaj Skënderbeut. Të mos e mbivlerësojmë Tiranën, por ta vlerësojmë për aq sa ka merita. Në të tilla ndeshje natyrisht që ka emocione, por ndonjëherë ato ndikojnë për mirë. Të shkojmë dhe të tregojmë se e meritojmë vendin e parë, pasi në shumicën e rasteve fiton ai që e meriton.

Me 6 pikë para vendit të dytë, a e mendoni titullin kampion?
Gjashtë pikë në këto momente janë shumë pak, sepse është vetëm java e 12 dhe nuk janë mjaftueshëm, megjithatë tregojnë se jemi në rrugën e duhur. Të gjithë kanë të drejtë ta mendojnë titullin kampion, të them të drejtën edhe ne e mendojmë sepse kemi bërë ndeshje shumë të mira, kemi parë të gjithë ekipet dhe e kemi parë forcën e tyre. Edhe tifozët e presin titullin. Megjithatë objektivi janë kupat e Europës, por nëse shkojmë në rrugën e duhur, pa kaluar në eufori, pse jo.

A e mendoni një transferim jashtë, duke parë formën e mirë që po kaloni?
Gjithë ekipi është në formë të mirë, jo vetëm unë. Nëse vazhdojmë kështu mund të kemi mundësi që në verë të transferohemi jashtë. Janë disa zëra, por unë jam i përqendruar te Vllaznia dhe te ndeshjet me fanellën kuqeblu.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco