Emocionet e Gegës para sfidës me Partizanin, por flet si profesionist

Emocionet e Gegës para sfidës me Partizanin, por flet si profesionist

21:19, 26/12/2020

Kukësi-Partizani, veçse një sfidë për trofeun është dhe një ndeshje e veçantë për trajnerin Skënder Gega, që dëshiron revanshin për atë humbje të fazës së parë.

Përtej emocionit ndaj klubit që e lidhi një karrierë e tërë, Gega si profesionist dëshiron suksesin në krye të ekipit që drejton tashmë.

“Ky është sporti dhe futbolli. Kam luajtur kundër vëllait tim, me të cilin kam qëndruar në një shtëpi. Nuk është se ndryshon. Do të jetë emocion i veçantë. Por, tani jam trajner i Kukësit. Për aq kohë sa jam këtu, do bëj të pamundurën për të qenë i suksesshëm dhe për të marrë atë që meritojmë”, deklaroi tekniku Skënder Gega në prag të kryesfidës së javës së 11-të të Superligës.

Me Tiranën, Kukësi nuk fitoi, por paraqitjet e verilindorëve në javët e fundit kanë qenë pozitive dhe Gega e di shumë mirë se kjo sfidë, ndryshe nga ajo e fazës së parë, vjen në momentin më të mirë për ekipin e tij.

“Patjetër që ka ndryshuar. Qoftë loja, qoftë performancat, qoftë pikët. Kështu që jemi në momentin e duhur, në kohën e duhur. Çdo gjë ka shkuar në rregull. Nuk kthehemi mbrapa, mbase do të kishim më mirë, por e kemi bërë analizën. Tani nuk është momenti të flasim për të kaluarën. Shpresoj dhe jemi gati 100% për nesër.

Në fund Gega theksoi: “Duam të marrim fitoren përballë një kundërshtari të vështirë, që ka bërë shumë mirë në fazën e parë ndaj nesh dhe që gjithashtu po luan mirë. Megjithatë, ne kemi besim te aftësitë tona. Partizanin e njoh që është një klub me shumë emër, por ne dëshirojmë të rikthehemi te fitorja”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco