Elez Gjoza zgjidhet president i Federatës së Peshëngritjes, premton medalje olimpike

Elez Gjoza zgjidhet president i Federatës së Peshëngritjes, premton medalje olimpike

19:26, 26/12/2020

Elez Gjoza zgjidhet president i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, pozicion që do ta mbajë për herë të dytë.

Gjoza triumfoi në raundin e dytë me 10 vota kundrejt 6 të Eglantina Çunit.

Të drejtën e votës e kishin 17 anëtarë, por para votimit u përjashtua nga procesi kryetar i Bashkisë së Lushnjës, pasi u konsiderua në kundërshtim me statutin e Federatës.

Nga katër kandidatë për president, Flamur Isufi dha dorëheqjen pak para zgjedhjeve, duke dalë në mbështetje të Elez Gjozës. Ndërkohë Everest Troka u eliminua në raundin e parë.

Pas shpalljes së rezultatit të votimit, Gjoza shpalli objektivat e mandatit të tij 4-vjeçar.

“Falënderoj ata që më votuan, por edhe ata që nuk më zgjodhën, pasi të gjithë do të punojmë bashkë. Ne jemi një federatë elitare dhe më e mira në Shqipëri. Sa i përket çështjes së dopingut, do të mbaj marrëdhënie shumë të sakta dhe permanente me WADA-n dhe ministrinë e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve. Unë kësaj radhe do të vendos me vendim të kryesisë që sportisti që del pozitiv do të shkojë për ndjekje penale”.

Gjoza u shpreh i bindur se peshëngritësit elitarë shqiptarë, mes të cilëve veçoi Briken Caljen, do t’i sigurojnë medalje olimpike Shqipërisë.

“Vizioni im është i pastër, do ta ngre punën time në katër shtylla. Do të vlerësoj dhe rivlerësoj katër sportistët elitarë të cilët mendoj se do të sjellin medalje olimpike për Shqipërinë. Do të mbështes të gjithë trajnerët që janë, mendoj lokomotiva e Federatës së Peshëngritjes. Kemi një sportist si Briken Calja që mendoj do t’i sjellë medalje olimpike Shqipërisë. Do të shohë mundësinë e marrjes së një trajneri të huaj për këtë sportist”, deklaroi Gjoza.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco