Nuk ka fitues në Kukësi - Tirana, ekipet marrin nga 1 pikë

Nuk ka fitues në Kukësi - Tirana, ekipet marrin nga 1 pikë

18:43, 23/12/2020

Nuk ka fitues në Kukësi – Tirana. Ndeshja më e rëndësishme dhe e fundit e javës së 10-të të Superligës zhvilluar në “Elbasan Arena” u mbyll në barazim pa gola.

Të dyja skuadrat provuan ta fitonin ndeshjen, por bardheblutë mund të quhen ekipi më me fat, pasi verilindorët u shfaqën më dominues si dhe iu anulua një gol i rregullt.

Në pjesën e parë rastin më të mirë për verilindorët e pati Agim Ibraimi i cili i vetëm përballë Bekajt u ndal nga portieri i bardhebluve. Në pjesën e dytë hyrja në lojë e Albin Gashit dhe i dha më shumë shpejtësi lojës sulmuese të Kukësit, që iu afrua golit pikërisht me Gashin në minutën e 55-të, por traversa i tha jo golit të skuadrës së Gegës.

Pak minuta më vonë pas disa veprimesh klasi të Gjelbërim Taipit, Kukësi gjeti golin me sulmuesin Patrick Eze, një gol që u anullua për një pozicion shumë të dyshimtë jashtë loje, me sulmuesin afrikan që dukej se mbahej në lojë nga mbrojtja e Tiranës, në pamjet e përsëritura.

Pak çaste më vonë Kukësi pretendoi për një penallti me Gashin por që edhe pse pati një kontakt mes sulmuesit anësor të Kukësit dhe një mbrojtësi të Tiranës, Klajdi Kola lejoi vazhdimin e lojës. Rastin më të mirë në këtë sfidë Tirana e Dedes e pati në minutën e 91-të me një aksion personal të Ernest Muçit, por parabola e tij kaloi ngjitur me shtyllën. Në fund një barazim 0-0 që kënaqi më shumë Tiranën që u ngjit në kuotën e 14 pikë, por të dyja ekipet humbën terren ndaj Vllaznisë kryesuese që edhe pse rimori vendin e dytë tashmë e sheh veten -5 pikë nga kreu.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco