Rraklli: Nuk patëm fat në short, na ranë ekipet më të fortë të secilës vazo

Rraklli: Nuk patëm fat në short, na ranë ekipet më të fortë të secilës vazo

18:11, 08/12/2020

Altin Rraklli është një nga sulmuesit e spikatur që ka pasur përfaqësuesja jonë kuqezi, i cili la gjurmë.

Rraklli është nga të parët lojtarë që pasi e nisi karrierën te Besa, në moshën 18-vjeçare shtegtoi duke luajtur në Gjermani, ku edhe aty spikati në disa skuadra.

Në një intervistë për “Report Tv”, Altin Rraklli flet për grupet dhe shanset që ka Shqipëria për kualifikim në Botëror.

“Mendoj që Shqipëria nuk pati shumë fat në këtë short, sepse na ranë kundërshtarët më të fortë të secilës vazo. Anglia në vazon e parë, Polonia në vazon e dytë dhe Hungaria në vazon e tretë. Janë skuadra shumë të forta. Mund të na kishin rënë skuadra më të lehta, por nuk e kishim këtë fat.

Megjithatë nuk duhet të qahemi. Mendoj që FSHF duke parë shortin së bashku me stafin teknik duhet të vendosin objektivat. Patjetër, që këto skuadra e bëjnë shumë të vështirë nëse do tentojmë kualifikimin. Megjithatë asgjë nuk është e pamundur në futboll.

Me përjashtim të Anglisë, Polonia dhe Hungaria kanë pikët e dobëta. Nëse rastis dita e keqe e tyre dhe dita e mirë e jona mund t’u marrim pikë. Në këtë mënyrë t’i zëmë vendin. Bëhet fjalë për vendin e dytë. Nëse Shqipëria gjithsesi do arrijë vendin e tretë do të ishte një sukses shumë i madh”, theksoi ish-sulmuesi kavajas.

Altin Rraklli është një nga ato dy futbollistë që së bashku me Besart Berishën i kanë shënuar Anglisë për llogari të Shqipërisë.

“Çdo skuadër është e gabueshme, edhe skuadrat e mëdha bëjnë gabime dhe pësojnë gol. Tek Anglia është e vështirë të ndodhë ky fenomen, por megjithatë në futboll çdo gjë ndodh. Unë i kam shënuar Anglisë para shumë vitesh dhe sot po flasim për një situatë tjetër, por Anglia është nga më të fortat në botë. Në mbrojtje janë të pagabueshëm, por nëse shohim përballjen me Kosovën, “Dardanët” realizuan dy herë në Angli. Ne duhet të dimë të shfrytëzojmë në mënyrë maksimale ato raste që do na vijnë”, deklaroi Rraklli.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco