Tre legjendat e futbollit shqiptar vlerësojnë zhvillimin e ‘Conference League 2020’ në Tiranë

Tre legjendat e futbollit shqiptar vlerësojnë zhvillimin e ‘Conference League 2020’ në Tiranë

16:35, 07/12/2020

Një finale europiane do të zhvillohet në Shqipëri. Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s vendosi ditën e enjte që ndeshja finale e “Conference League 2022”, kompeticionit më të ri që pritet të nisë sezonin e ardhshëm, të zhvillohet në stadiumin kombëtar “Air Albania”.

Në një prononcim për “Telesport”, tre ish-futbollistë legjendarë të Shqipërisë shprehen se kjo është një ngjarje e rëndësishme, jo vetëm për futbollin shqiptar, por kryesisht për Shqipërinë.

Ish-futbollisti i njohur i Dinamos dhe i Kombëtares, Sulejman Demollari thekson se ky event nuk do të ndikojë vetëm te futbolli, por edhe tek ekonomia e vendit.

Image

“E enjtja e tre dhjetorit vërtetë shënon një ditë historike për vendin dhe futbollin tonë. Është hera e parë në histori që ne do të zhvillojmë një finale me aromë europiane. Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë një punë të shkëlqyer dhe kjo nuk shihet më vetëm në zhvillimin e infrastrukturës, apo rritjes së cilësisë së futbollit në vend, por tashmë edhe me këtë arritje.

Ne do të shënohemi në librin historik të futbollit si vendi që priti finalen e parë të këtij kompeticioni të ri që do të nisë. Jo vetëm për futbollin, por kjo finale ndikon edhe tek ekonomia e vendit, duke i sjellë të ardhura buxhetit të shtetit, pasi priten më shumë se 20.000 tifozë. Unë besoj se imazhi i Shqipërisë do të rritet, më shumë se në 2016, pasi nëse në Europë ne ishim turistë, kësaj radhe jemi mikpritës. E rëndësishme është të dimë ta vlerësojmë dhe të fillohet nga puna sa më shpejt”, – u shpreh Demollari.

Ndërsa ish-futbollisti tjetër legjendar i Tiranës e i Kombëtares dhe trajneri aktual i ekipit U-17 të Shqipërisë për femra, Agustin Kola, e cilësoi këtë ngjarje mjaft të rëndësishme për vendin tonë.

Image

“Kjo finale ka një rëndësi shumë të madhe sa i përket së pari Shqipërisë dhe më pas edhe futbollit shqiptar. Federata Shqiptare e Futbollit ishte ajo që investoi shumë në Kombëtaren tonë dhe arriti t’i plotësojë ëndrrën shumë e shumë shqiptarëve duke i bërë të përjetojnë emocionet e Europianit të vitit 2016. Kësaj radhe, falë punës së madhe edhe të presidentit Armand Duka, ne do të shohim një finale europiane në Tiranë. Kur luanim ne, dukej si një ëndërr e parealizueshme ndërsa sot është realitet.

Kjo është një nga arritjet më të mëdha të Federatës, pasi nuk është e thjeshtë të fitosh kandidaturën për të organizuar një event të tillë kur përballë ke shtete shumë më të zhvilluara. Futbolli ia doli edhe kësaj here ta bëjë Shqipërinë kryefjalë të Europës, ashtu sikurse në 2016”, – tha Agustin Kola.

Gjithashtu, edhe ish-futbollisti i famshëm i Tiranës dhe i Kombëtares, Bedri Omuri, e cilësoi këtë ngjarje historike.

Image

“Është historike si ditë dhe si ngjarje pasi na bën tepër krenarë si shqiptarë. UEFA është një institucion serioz dhe nuk besoj se ka qenë një vendim i lehtë. Është një ngjarje me rëndësi të madhe dhe që do të përmirësojë jo vetëm imazhin e shtetit, por do t’i sjellë edhe të ardhura buxhetit të shtetit.

Puna e FSHF-së u vlerësua maksimalisht me sjelljen e kësaj finaleje në Shqipëri. Ky është një kompeticion i ri dhe është diçka e bukur që finalja e parë do të zhvillohet në stadiumin tashmë jo vetëm kombëtar, por ndërkombëtar ‘Air Albania’. Tani na mbetet neve të tregojmë se çfarë jemi të aftë të bëjmë”, – u shpreh Omuri.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco