Koeman bën revolucion tek Barcelona, ja ndryshimet në formacion kundër Juventusit

Koeman bën revolucion tek Barcelona, ja ndryshimet në formacion kundër Juventusit

12:41, 07/12/2020

Barça, këtë të martë në “Camp Nou”, do të paraqitet me shumë ndryshime krahasuar me të shtunën në “Carranza”. Siç ka bërë Ronald Koeman në ndeshjet e fundit të Ligës së Kampionëve, do të ketë shumë rotacione dhe do t’u jepet rëndësi djemve të rinj, që duhet të shënojnë një epokë në klub, tani kundër një rivali të vërtetë.

Dinamo dhe Ferencvaros ishin testet, ndërsa Juventusi do të jetë provimi përfundimtar për të parë nëse besimi i dhënë deri më tani është i justifikuar apo jo; nëse ata mund të kenë vazhdimësi në të ardhmen. Koeman, për këtë ndeshje përgatit të paktën një ndryshim për çdo repart, krahasuar me të shtunën kundër Cádiz. Emrat e duhur për t’u theksuar mund të jenë ata të Araujo, i cili kthehet nga dëmtimi dhe synon të startojë; i Pjanic, që ka luajtur të gjitha ndeshjet e kësaj faze të grupeve në Europë dhe do të përsërisë veten kundër ish-skuadrës së tij.

Me dëmtimin e ri të Dembélé, Trincao dhe Pedri janë dy emrat e referencës në sulm për Koeman, në formacionin startues ndaj “Zonjës së Vjetër”. Me rezultatet e fundit të kampionatit dhe imazhin e mirë në Champions, trajneri hollandez ka kuptuar që të ashtuquajturit “Plan B” sigurojnë performancë më të mirë se disa nga yjet në dhomën e zhveshjes. Dhe revolucioni fillon duke ulur në stol këta lojtarë të paprekshëm. Pra, hapësirë për talentet e reja, të cilat deri më tani kanë performuar edhe më mirë, kur kanë qenë në fushë.

Problemi kryesor që trajneri i Barçës vëren është se skuadrës i mungon qarkullimi më i shpejtë i topit, për të befasuar rivalin, gjë që e bëri skuadrën katalanase kaq të suksesshme një dekadë më parë. Barcelona aktuale e ka ulur këtë ritëm të topit dhe mund të jetë për arsye të ndryshme, qoftë mosha e lojtarëve kryesorë, ose lodhja nga kalendari i ngjeshur i ndeshjeve. Dy zgjidhjet për këto probleme janë fytyrat e reja dhe rotacionet vazhdimisht në mënyrë që ngarkesa në këmbë të mos jetë e tepruar.

Hollandezi do t’u japë atyre përsëri mundësinë dhe nuk përjashton dhënien e vazhdimësisë në La Liga, nëse rezultati është përsëri pozitiv, për sa i përket imazhit dhe lojës. Mund të jetë një eksperiment që së shpejti bëhet projekt, telesport

Barça, tashmë e kualifikuar në Champions, por ende duke luajtur për vendin e parë në grupin G, ka një skenar të mirë kundër Juves, për të qenë në gjendje të ekspozojë rotacionet. Të rinjtë mund të tregojnë se meritojnë më shumë minuta. Mundësia e artë po arrin për ta.

Neto do të jetë startues në këtë ndeshje, në portë. Pra, do të pushtojë Ter Stegen. Prania e tij në formacion nuk është e kushtëzuar nga gabimi në golin e Negredo të shtunën, as për t’i dërguar ndonjë mesazh gjermanit. Portierët e skuadrës, së bashku me stafin stërvitor, kishin rënë dakord për këtë “skemë”. Kështu ndodhi ndaj Dinamo Kiev, kështu do të jetë edhe në “Camp Nou”, kundër Juves.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco