Rrëfehet Enis Çokaj: Kam idhull Lorik Canën, në Kombëtare dua të ndjek hapat e ...

Rrëfehet Enis Çokaj: Kam idhull Lorik Canën, në Kombëtare dua të ndjek hapat e ...

11:15, 07/12/2020

Duke folur për faqen zyrtare të FSHF-së në internet, Enis Çokaj zbulon se e kishte ndarë mendjen që i vogël për t’u marrë me futboll. Pasi mbaroi shkollën 9-vjeçare, talenti shqiptar vazhdoi studimet në Shkollën e Mjeshtërisë së Futbollit “Loro Boriçi”, duke u larguar nga familja për të ndjekur ëndrrën e tij. Gjithsesi, kur e kthen kokën pas, Çokaj e kupton se të gjitha sakrificat që ka bërë për futbollin ia kanë vlejtur.

Tashmë i ka ngjitur shumë shpejt shkallët e karrierës, duke luajtur me NK Lokomotiva e Zagrebit, ka qenë lojtar i rregullt i Shqipërisë U-21 dhe në edicionin e fundit të Ligës së Kombeve është grumbulluar nga trajneri Edy Reja. Modeli i tij në kombëtare është pikërisht Amir Abrashi, lojtari me të cilin ngjan më shumë për nga karakteristikat.

Si lindi dëshira dhe pasioni për futboll? Cili ishte njeriu i parë që të afroi me këtë sport dhe besoi te ti?
Pasioni për futbollin ka lindur bashkë me mua, dhe sigurisht është zhvilluar me kalimin e kohës derisa vendosa t’i përkushtohem totalisht këtij sporti. Në fakt, vëllai im ishte ai që kuptoi i pari dashurinë që kisha për topin dhe evidentoi aftësitë e mia. Ai ka qenë përkrahja më e madhe që në fillimet e mia në botën e bukur të futbollit.

Si është marrëdhënia juaj me grupin dhe trajnerin në kombëtare? Po te klubi si ndihesh? Na thuaj diçka për ecurinë me klubin…
Në Kombëtare ka një atmosferë shumë miqësore, jemi një grup i mirë, që na bashkon qëllimi i përbashkët për të dhënë gjithçka për fanellën kuqezi. Me trajnerin kam marrëdhënie të mira, korrekte, përpiqem shumë t’i ndjek udhëzimet që më jep. Edhe te klubi im ndihem shumë mirë, jam përshtatur krejtësisht. Këtë sezon nuk e kemi filluar shumë mirë, por mendoj që kanë ndikuar edhe largimet gjatë merkatos së fundit verore. Gjithsesi, po punojmë fort dhe kam besim që shumë shpejt do të fillojmë të marrim rezultate pozitive.

Si e përjetove momentin kur more ftesën e parë nga kombëtarja dhe debutimi me ngjyrat kuqezi? Pra, debutimi me ekipin U-21 e më pas në kombëtaren A…
Përfaqësimi i ngjyrave kuqezi ishte një ëndërr për mua dhe me ftesën e parë nga kombëtarja U-21 u ndjeva sigurisht shumë i lumtur, një hap më pranë realizimit të ëndrrës. Debutimi ishte ndjenjë e veçantë, pasi fanella e kombëtares ka një peshë të madhe dhe të mbush me emocione, që s’mund t’i provosh kur luan për një klub. Ftesa nga kombëtarja A ishte surprizuese dhe më ka lumturuar tej mase, më ka mbushur me përgjegjësi për të punuar akoma më shumë.

A i rishikon ndeshjet e tua, pasi luan? Dhe nëse po, çfarë i thua vetes?
Po, zakonisht i shikoj ndeshjet e mia dhe përpiqem nxjerr sa më shumë mësime e të përmirësohem në vazhdimësi, duke studiuar gabimet që të mos i përsëris në të ardhmen.

Cili ka qenë momenti apo episodi më i lumtur në karrierën tënde deri tani? Me kombëtaren dhe me klubin…
Momenti më i lumtur me klubin e NK Lokomotivës së Zagrebit është kualifikimi për në finalen e Kupës së Kroacisë, sezonin e kaluar. Ndërsa me fanellën kuqezi, përveç momenti të ftesës nga kombëtarja A, momenti më i bukur ka qenë realizimi i golit të parë me U-21 ndaj Kosovës, pak javë më parë. Ishte një emocion i madh!

Cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për futbollin?
Sakrifica më e madhe për futbollin është fakti që kam jetuar larg familjes që në moshën 15-vjeçare. Duke vazhduar gjimnazin te Shkolla e Mjeshtërisë së Futbollit “Loro Boriçi” mora drejtimin tim përfundimtar në futboll, duke hequr dorë kështu edhe nga mundësia për të vazhduar më vonë studimet e larta për një tjetër drejtim, pasi edhe si nxënës kam pasur rezultate shumë të mira.

Çfarë synimi ke për të ardhmen?
Sigurisht, synimet për të ardhmen janë që të arrij të luaj në nivele të larta të futbollit europian. Po punoj shumë që të rritem teknikisht e të jap maksimumin tim në çdo ndeshje.

Sa ka ndikuar tek ju transferimi në një klub të huaj? Sa ju ka ndihmuar ky hap për t’u përmirësuar si futbollist?
Transferimi në kampionatin kroat më ka ndihmuar shumë të rritem si futbollist. Kampionati kroat shquhet për zbulimin e talenteve dhe është një mundësi shumë e mirë për mua për t’u rritur e për të shkuar më lart.

Cili është idhulli yt në kombëtaren ideale? Ose kush është modeli yt në futboll?
Idhulli te kombëtarja kuqezi ka qenë gjithmonë Lorik Cana, më pëlqente fakti se si jepte zemrën gjithmonë, në çdo ndeshje. Aftësitë e tij e çonin lojën në një tjetër nivel. Ndërsa nga grupi aktual vlerësoj veçanërisht Amir Abrashin, do doja të ndiqja hapat e tij te kombëtarja.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco