Formula 1/ Perez përfiton nga gafa e Mercedez, triumfon në garën e ‘çmendur’ të Bahrein

Formula 1/ Perez përfiton nga gafa e Mercedez, triumfon në garën e ‘çmendur’ të Bahrein

21:23, 06/12/2020

Çmimi i Madh i Bahreinit në Formula 1 ka dhuruar një nga surprizat më të mëdha të sezoneve të fundit, pasi një garë e pabesueshme ka nxjerrë në fund meksikanin Serxhio Perez si fitues.

Gjithçka meritë e aftësive të tij, por edhe gafës së rëndë të Mercedes, që ngatërroi gomat e dy pilotëve të saj.

Xhorxh Rasëll, zëvendësuesi i Luis Hemilton, i cili është infektuar me COVID-19, bëri gjithçka mirë në start duke kaluar shokun e skuadrës Valteri Botas.

Por dueli mes tyre shkaktoi aksident mes pilotëve që i ndiqnin, me Perez që u përplas me Leklerk dhe me Verstapen që përfundoi jashtë duke u përplasur me murin.

Perez ishte i vetmi që u kthye në garë, edhe pse në vendin e fundit, ndërsa me rifillimin në xhiron e 7, vendi i tretë i shkoi Karlos Sainz i cili kishte përfituar nga kaosi për të kapërcyer pilotët e tjerë.

Dy makinat Mercedes u shkëputen nga ndjekësit pas pak xhirosh dhe ishin në kontroll të plotë të garës.

Ata nuk u ndalën nga makina e sigurisë virtuale pasi Latifi parkoi makinën e tij në krah të pistës pas një problemi.

Një tjetër makinë sigurie virtuale u vendos pasi Aitken humbi pjesën e përparme të makinës.

Komisarët e pistës vendosën makinë e sigurisë normale që të pastronin pistën dhe aty Mercedes futi në bokse dy makinat për ndërrimin e gomave, një episod që vendosi fatin e garës.

Skuadra gaboi gomat, duke i vendosur Rasëll një pjesë të atyre të Botas dhe kështu detyroi rikthimin e dy pilotëve në bokse pak më vonë për të korrigjuar gjithçka pasi asnjëri nuk po jepte sa duhej.

Kjo bëri që në kryesim në mënyrë të papritur të ishte Perez, i cili kishte kryer ndalesën për gomat e forta dhe mund të shkonte i qetë drejt fundit të garës, i ndjekur nga Okon dhe Stroll.

Rasëll bëri parakalime të njëpasnjëshme në pistë dhe u vu në ndjekje të Perez, duke shkurtuar diferencën në 3,4 sekonda, por goma e tij u shpua dhe ai u desh të ndalej përsëri në bokse, këtë herë për të hequr dorë nga vendet e para.

Si rrjedhojë, Perez arriti të rriste diferencën dhe fitoi për herë të parë në karrierë një garë të Formula 1 me më shumë se 10 sekonda diferencë nga ndjekësit Okon dhe Stroll.

Sainz shkoi në vendin e katërt, i ndjekur nga Riçiardo, Albon dhe Kviat, ndërsa më tej vijonin Botas e Rasëll, duke i lënë vendin për pikën e fundit Lando Norris.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco