Vllaznia nuk gjen qetësi, jep dorëheqjen nga klubi shkodran...

Vllaznia nuk gjen qetësi, jep dorëheqjen nga klubi shkodran...

21:28, 21/11/2020 Vllaznia po kalon momente fantastike në këtë fillim të sezonit, por krahas atmosferës së mirë në skuadër dhe tri fitoreve radhazi, në klub nuk kanë munguar gjatë kësaj jave përplasjet mes drejtuesve. “Panorama Sport” zbulon se administratori Benjamin Naku ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij.

I emëruar vetëm pak javë më parë, për Nakun është folur shumë rreth përplasjes që pati me sponsorin Alban Xhaferi. Madje ky i fundit e shigjetoi jo pak në deklaratat që bëri, duke theksuar se Naku ka konflikt interesi, sepse nuk mund të jetë administrator i Vllaznisë dhe njëkohësisht i punësuar në Universitetin e Shkodrës.

Gazeta zbulon se Naku nuk ka dashur të vazhdojë replikën me sponsorin Xhaferi, në mënyrë që të mos ketë ndikim në ekip për ndeshjen ndaj Tiranës. Tashmë që ky takim ka përfunduar dhe Vllaznia ka fituar 3-2, ai i ka paraqitur dorëheqjen kryetares së bashkisë, Voltana Ademi.

Mësohet se largimi i tij nuk ka lidhje me përplasjen e ditëve të fundit me Xhaferin, por mësë shumti me faktin se është pedagog në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës dhe nuk mund të bënte dy punë njëkohësisht.

Tashmë mbetet për t’u parë se kush do të jetë administratori i ri i klubit shkodran dhe si do të ndahen kompetencat te Vllaznia. Pritet që faqja zyrtare e klubit në “Facebook” të dalë me një komunikatë për shtyp në lidhje me këtë zhvillim të fundit te shkodranët.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco