Kuqezinjtë e Rejës nisin përgatitjet, italianët bllokojnë ardhjen e Kumbullës

Kuqezinjtë e Rejës nisin përgatitjet, italianët bllokojnë ardhjen e Kumbullës

12:21, 09/11/2020

Trajneri Edi Reja, ka planifikuar seancën e parë stërvitore sot në orën 16:00, por ndërkohë pret të mësojë se cilët futbollistë do të ketë në dispozicion, pasi situata e krijuar nga pandemia, ka krijuar një rrëmujë totale në këtë aspekt.

Kështu mbrojtësi Marash Kumbulla s’do të vijë në grumbullim, pasi Zyra Shëndetësore Lokale e Romës, ka urdhëruar që të gjithë futbollistët e klubit verdhekuq të futen në izolim në mirëbesim, duke qenë se vetëm dy ditë më parë Edin Dzeko rezultoi pozitiv.

Mungesa e mbrojtësit 20-vjeçar, do të ndihet mjaft te kuqezinjtë, pasi përveç tij nuk do të jenë në dispozicion as Kastriot Dermaku e Enea Mihaj, të cilët janë të lënduar, ndërsa Reja shpreson që të mos ketë probleme me Gjimshitin e Ismajlin.

Ndërkohë mesfushori Klaus Gjasula, ka konfirmuar se do të jetë në grumbullimin e Kombëtares, por vetëm të martën paradite, pasi sonte do të jetë në dispozicion të Hamburgut për ndeshjen e radhës në Bundesligën 2.

Nesër në orën 13:00 trajneri Edi Reja, do të dalë në një konferencë shtypi para ndeshjes miqësore me Kosovën dhe vetëm atëherë do të ketë krijuar një ide të plotë në lidhje me futbollistët që do të ketë në dispozicion për dy sfidat e fundit të Ligës së Kombeve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco