Reali i Madridit zhgënjen sërish në kampionat, pasi u mposht me rezultatin e thellë 4-1 në transfertën e “Mestalla”-s ndaj Valencias dhe tashmë e sheh veten plot 4 pikë larg Sociedadit që kryeson përkohësisht renditjen.
Madrilenët e nisën mjaft mirë ndeshjen dhe pas një kombinimi me Marcelon, ishte sulmuesi francez Karim Benzema që lëshoi një predhë nga jashtë zone, duke dërguar topin në rrjetën e portës së Valencias.
Reagimi i Valencias ishte i shpejtë dhe në minutën e 30’ fituan një penallti, të cilën e gjuajti Soler dhe topi u përplas në traversë e më pas u shty në rrjetë nga Musah, por arbitri e anuloi pasi mesfushori kishte hyrë në zonë para kohe.
Nga përsëritja e penalltisë, Soler nuk gaboi dhe mposhti Courtois, duke rikthyer baraspeshën, ndërsa në minutat e fundit të pjesës së parë ishte Raphael Varane që devijoi një top në rrjetën e portës së tij dhe që arbitri e akordoi gol vetëm pas sinjalizimit nga VAR.
Kjo pasi portieri belg Courtois ishte në rrezen e kamerave të “Goal Line Technology” dhe ndonëse e nxori topin nga brenda vijës fatale, teknologjia nuk sinjalizoi, ndaj u desh të rishikohej gjithçka në VAR për të akorduar golin.
Në pjesën e dytë Valencia fitoi edhe dy penallti të tjera, fillimisht për një faull të Marcelos dhe më pas për një prekje me dorë naive nga ana e Sergio Ramos, ndërsa Soler u tregua i saktë duke i shndërruar në gola dhe duke çuar rezultatin në 4-1.
Sulmuesi 23-vjeçar spanjoll Carlos Soler kompletoi kështu tripletën personale, me të tre golat të shënuar nga pika e penalltisë dhe përveçse i dha fitoren Valencias, meritoi të marrë në shtëpi edhe topin e ndeshjes.
Deri në vërshëllimën finale të arbitrit rezultati mbeti i pandryshuar dhe Reali regjistroi humbjen e dytë në kampionat, që e zbret përkohësisht në vendin e katërt të renditjes, ndërsa Valencia u ngjit në vendin e 9 me 11 pikë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: