SYRI TV/ Betonizoi Tiranën,Veliaj kujtohet për klimën, në 6 vjet ka miratuar 9 mln metër katror leje ndërtimi

14:38, 16/08/2024

Pasi betonizoi çdo cep të Tiranë, përkundër premtimit se do të reduktonte lejet e ndërtimit dhe pas fushatës butaforike të mbjelljes së dy milionë pemëve, kryebashkiaku Erion Veliaj tashmë duket i shqetësuar për ndryshimet klimatike.

Bashkia e kryeqytetit ka vendosur të porosisë hartimin e një Plani Veprimi për Ndryshime Klimatike. Sipas Veliajt dhe stafit të tij, ky plan është i nevojshëm, pasi zhvillimi social-ekonomik dhe zgjerimi i qytetit pas miratimit të Hartës Territoriale ka nxitur sfida të reja për cilësinë e ambjentit.

Në dokumentat e hartuar nga Bashkia, faktori kryesorë që mund të ndikojnë në përkeqësimin e kushteve klimatike janë gazrat serë të krijuara nga teknologjia e mjetet. Bashkia është kujdesur të mos përmend askund si një ndër faktorët shkatërrues të mjedisit dhe përkeqësuesit e situatës klimatike ritmin jashtëzakonisht të lartë të betonizimit të Tiranës gjatë tre mandave të Veliajt.

Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave (INSTAT) tregojnë se vetëm në 6 vitet e fundit, Veliaj ka firmosur leje ndërtimi për një sipërfaqe totale prej afërsisht 9 milionë metra katrorë.  Rekordi negativ i këtij betonizimi është regjistruar në vitin 2022, kur kryebashiaku i Tiranës ka firmosur rreth 1.8 milionë metra katrorë leje ndërtimi. Nga ana tjetër, Veliaj premton se Plani i ri i Veprimit për Ndryshimet Klimatike synon pjesëmarrjen e gjerë të popullsisë lokale në vendimmarrjen.

Ky tekst i shkruar bukur publikohet në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik vetëm një ditë pasi banorë të rrugës “Dritan Hoxha” u ngritën në protestë kundër një leje ndërtimi të dhënë nga Veliaj në lulishten rreth bllokut të pallateve të tyre.

Dy muaj më parë, dhjetra banorë të Kombinatit gjithashtu protestuan kundër prishjes së një lulishteje dhe shndërimin e saj në pallat për kompaninë e Elman Abule, një personazh të konsideruar nga media si lidhje e ngushtë e Erion Veliaj.

Është e tepërt të besosh se mungesa e një Plani Veprimi e ka penguar deri më tani kryebashkiakun e Tiranës që të marrë mendimin e qytetarëve kur jepet lejet e ndërtimi mbi lulishte.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco