SYRI TV/ Saimir Tahiri thirret në SPAK, shoqërohet nga avokati

18:56, 24/06/2024

 

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i dënuar për ‘Shpërdorim Detyre’ është paraqitur sot në SPAK për t’u marrë në pyetje.

Organi i akuzës nuk ka dhënë detaje mbi motivet e marrjes në pyetje në prani të avokatit, por burime të tjera konfirmojnë se ndaj ish-ministrit tahiri, SPAK është duke zhvilluar hetim pasuror.

Tahiri është marrë në pyetje për rreth dy orë në SPAK ndërsa më herët janë pyetur dhe biznesmenë të ndryshëm që kanë pasur lidhje me familjarët e tij.

SYRI TV

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka qëndruar për 2 orë në prokurorinë e posaçme të hënën e 24 qershorit.

Burime, thanë Syri Tv se Tahiri është thirrur për të dhënë sqarime si person ndaj të cilit kryhen hetime rreth pasurisë por jo vetëm.

Sipas burimeve më herët në kuadër të këtij hetimi, SPAK ka pyetur edhe disa biznesmenë me të cilët familjarët e ish ministrit kanë patur transaksione financiare.

Prokurori i Posaçëm Elvin Gokaj prej muajsh e heton Tahirin mbi pasurinë dhe burimin e krijimit të tyre, teksa i njëjti prokuror ka hetuar edhe çështjen e ashtuquajtur “Buka” për të cilën u vendos vitin e kaluar pezullimi i hetimeve për një vit.

Procedimi për pasurinë është regjistruar disa muaj më parë teksa hetuesit kanë nisur verifikimet duke vënë në sitë të gjitha pasuritë e luajtshme, të paluajtshme dhe llogaritë bankare të Saimir Tahirit dhe familjarëve të tij.

Prokuroria ka kërkuar informacion në bankat e nivelit të dytë, institucione e agjenci të pronave për të verifikuar pronat e llogaritë bankare të ish-ministrit të Brendshëm, dhe transaksionet që ai ka kryer që prej kohës kur ai mbante detyrën dhe deri më sot.

Ish-ministri i Brendshëm shoqërohej këtë të hënë në SPAK nga avokati i tij Maksim Haxhia, teksa burime pranë organit të procedurës penale, konfirmuan se është thirrur në cilësinë e deklaruesit.

Saimir Tahiri u dënua më 4 shkurt të 2022 me 3 vite e 4 muaj burg për shpërdorim detyre por doli nga qelia në qershor të vitit 2023 përmes një vendimi që krijoi polemika e ku SPAK kërkoi llogari nga Gjykata e Elbasanit për rrethanat mbi të cilat iu dha liria.

Si argument, ish-ministri paraqiti dy ekspertiza mjeko-ligjore që kishin të bënin me gjendjen shëndetësore të bashkëshortes së tij, ç’ka pamundësonte përkujdesjen nga ana e kësaj të fundit për dy fëmijët e mitur të çiftit.

Dënimi i tij erdhi mbi argumentin se kishte mbajtur kontakte me kushërinjtë e tij Habilaj, të cilët merreshin me kultivim dhe trafik të kanabisit.

Ish-ministri u akuzua nga Prokuroria e Posaçme për përfshirje në grupin kriminal që trafikonte lëndë narkotike, por sipas dy gjykatave, këto akuza nuk u provuan.

Beteja e fundit e ish-ministrit mbetet ende aktive në Gjykatën e Lartë, ku SPAK ka kërkuar edhe njëherë dënimin e tij me 12 vjet burgim, kërkesë e cila ende nuk është shqyrtuar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco