Shqipëria jep vetëm 0,05 euro për banorë për strehimin, ndër nivelet më të ulëta në Europë

Shqipëria jep vetëm 0,05 euro për banorë për strehimin, ndër nivelet më të ulëta në Europë

11:34, 03/06/2024

Shqipëria ka nevoja të mëdha për strehim social, por fondet publike që jepen për këtë shërbim janë nga më të ulëtat në Europë, sipas të dhënave të fundit të Eurostat.

Në vitin 2021, shpenzimet publike për strehimin ishin vetëm 0,05 euro për frymë në Shqipëri. Vendi ynë në këtë tregues lë pas Malin e Zi, Turqinë dhe Bullgarinë.

Në Europë, shpenzimet më të larta për frymë në drejtim të strehimit i ka Irlanda me 373 euro për frymë, Finlanda me 339 euro për frymë, Danimarka dhe Franca me 316 dhe 210 euro secila.

Në krahun tjetër, shpenzimet më të ulëta për frymë i kanë vendet e Rajonit të Ballkanit, ku përfshihet edhe Shqipëria.

Studimet e brendshme referojnë se raporti i numrit të përfituesve kundrejt numrit të aplikantëve është për të gjitha bashkitë shumë i ulët.

Kategoritë vulnerabël me numrin më të madh për strehim social janë: familjet me shumë fëmijë, përfituesit e ndihmës ekonomike, çiftet e reja, familjet egjiptiane, gratë kryefamiljare.

Pjesa më e madhe e aplikimeve është përqendruar tek programi Banesa me kosto të ulët ( kredi e lehtësuar).

Shqetësuese është përqindja e bashkive që nuk kanë asnjë sistem për regjistrimin e të dhënave.

Strehimi është një shërbim që i takon pushtetit vendor, po vit pas viti bashkitë çojnë gjithnjë e më pak fonde për këtë shërbim.

Shqipëria ka një strategji për Strehimin Social 2016-2026, por shkrirja e Ministrisë së Zhvillimit Urban e ka lënë këtë fushë përgjegjësisë pa vëmendje.

Qeveria shqiptare konsideron sfidë kryesore njohjen e qartë e ofertës dhe kërkesës për strehim social.
Programet e strehimit social që aplikohen tërheqin familjet me të ardhura mesatare 6 deri në 8 herë më të larta se kufiri i varfërisë.

Një prej programeve më të mëdha, programi me banesa me kosto të ulët, nuk është i përballueshëm për të varfrit dhe për këtë arsye ata nuk përfitojnë nga ky program. Gjithashtu, procedurat bankare janë tepër të gjata dhe të kushtueshme.

Nëpunësit e njësive vendore dhe punonjësit e bankave shpesh u japin përparësi miqve dhe nëpunësit e njësive vendore i nxisin individët të bëjnë kërkesë për strehim social edhe nëse këta nuk i përmbushin kriteret e vendosura me ligj.

Programi i banesave sociale me qira ka më shumë gjasa të ketë në fokus familjet me të ardhura të ulëta. Por megjithatë, njerëzit që jetojnë afër ose nën kufirin e varfërisë nuk mund ta përballojnë këtë program. Ndërsa, subvencionet e strehimit shihen si zgjidhje e përkohshme e problemeve të strehimit./MONITOR

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco