Avioni personal i Ramës/ 19 milionë euro kushtuan 127 fluturimet e luksit

Avioni personal i Ramës/ 19 milionë euro kushtuan 127 fluturimet e luksit

09:49, 28/10/2022

Hakerat iranianë kanë publikuar në rrjetin social të komunikimit “Telegram” në faqen “Homeland Justice” të dhënat e Kryeministrit të vendit Edi Rama duke treguar se ata u janë futur shumë thellë sistemeve shqiptare online dhe “Times”, duke marrë gjithçka që mundeshin.

Ata kanë publikuar të dhëna personale si emër, mbiemër, amësi, atësi, status civil dhe vendlindjen. Më tej, ata kanë nxjerrë edhe hyrjedaljet e Kryeministrit Edi Rama në pikat kufitare nga territori shqiptar, llojin e udhëtimeve dhe destinacionet. Ka qenë pikërisht ky detaj që ka trazuar edhe njëherë debatin publik mbi sigurinë e të dhënave kibernetike të shqiptarëve, pasi në publikimet e hakerave iranianë shihet se shumë udhëtime të kreut të qeverisë shqiptare janë bërë me “charter”.

Të dhënat e lëvizjeve të Kryeministrit Rama të publikuara në faqen “Homeland Justice” datojnë që nga viti 2013 e deri në 2022 dhe janë të shumta. Ish-Kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas publikimit të të dhënave të Kryeministrit Edi Rama ku tregohen edhe hyrje-daljet e tij nga territori shqiptar, duke e akuzuar për shpërdorim të fondeve publike dhe konsideruar këtë veprim si super abuzim.

Përmes një mesazhi në “Facebook”, Berisha publikon informacionet e hedhura në rrjet nga hakerat iranianë, duke i shoqëruar edhe me foto, ku dallohet qartë mënyra, vendi dhe destinacioni i udhëtimit. Berisha shkruan se 127 udhëtimet me avion të Kryeministrit Edi Rama me “charter” kanë kushtuar 19 milionë euro, ndërsa shton se ky është një krim publik i rëndë. Ai i bën thirrje shqiptarëve të ngrihen për ta larguar sa më parë Kryeministrin.

“Super abuzim! 19 milionë euro kushtuan 127 udhëtimet me avion taksi të Edi Ramës! Të dashur miq, neobllokmeni Edi Rama ka krye si Kryeministër 127 udhëtime me “charter” apo avion taksi për menderen e tij. Çdo udhëtim me “charter” kushton mesatarisht apo më së paku 150 mijë euro kurse ato të largëtat kushtojnë me gjithë parkingun rreth 250 mijë euro. Por, të llogaritura me çmimin 150 mijë euro fluturimi, Edi Rama ka shpenzuar vetëm avion taksi 19050000 Euro. Pra, Kryeministri i vendit më të varfër të Europës shpenzon për udhëtime me avion në dispozicion dhjetëra e dhjetëra herë më shumë se sa Kryeministri i Austrisë, një vend dhjetëra herë më i pasur se Shqipëria. Ky është një krim publik tejet i rëndë, është banditizëm qeveritar i përmasave gjigante. Në këmbë shqiptarë ta kërrejmë sa më parë! Këtu më poshtë keni datat dhe destinacionet e të gjitha udhëtimeve me ‘charter’ të Edi Ramës nga shtatori i vitit 2013 gjer sot!”, shkruan Berisha.

Nga ana tjetër, në reagimin e tij, kreu i qeverisë u është përgjigjur akuzave teksa thotë se avioni që përdor për udhëtime jashtë vendit nuk është një “charter” komercial, por i njëjti që ka përdorur dhe është akuzuar publikisht edhe më parë. Rama hedh akuza ndaj opozitës për të cilën thotë se nuk ka asgjë të përbashkët me ato që i etiketon si “non grata” dhe “spiunë”.

“Sikur udhëtimet e mia të punës t’u kushtonin shqiptarëve sa llogaritë që bëjnë ‘non grata’- t, spiunët dhe topat e mediave të baltës, unë do të isha thjesht njëri prej tyre, po nuk kam asgjë të përbashkët me ta që më ngatërrojnë me veten dhe me ‘charter’-at e tyre! Avioni që unë përdor për udhëtime pune nuk është një ‘charter’ komercial, po një avion për të cilin jam akuzuar edhe më parë nga të njëjtët delenxhinj dhe i kemi dhënë të plota faktet se pse dhe si konkretisht bëhet fjalë për shpenzime brenda buxhetit të gjithhershëm të qeverisë! Sot, nuk kam ndërmend të risqaroj të njëjtën akuzë, për të cilën kush dëshiron mund t’i referohet sqarimeve të mëparshme, ndërkohë që qeveria iraniane dhe opozita-iranianët shqiptarë e këndojnë atë njëzëri! Çfarë neverie!”, shkruan Rama në “Twitter”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco