Vrasja e vëllezërve Bilali, Arsen Stojku dënohet me 7 vite heqje lirie

Vrasja e vëllezërve Bilali, Arsen Stojku dënohet me 7 vite heqje lirie

22:33, 26/10/2022

Pavarësisht se në Pretencën e saj Prokuroria e Shkodrës kishte kërkuar 35 vite burg në bashkim dënimesh, Arsen Stojku është dënuar me vetëm 7 vite heqje lirie për vrasjen e vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali në 30 mars 2019.

Gjykata e Shkodrës ka shpallur vendimin për Stojkun, një nga personat e arrestuar për këtë ngjarje teksa trupa gjykuese gjatë seancës për shpalljen e vendimit, ka ndryshuar cilësimin ligjor të veprës penale nga vrasje në rrethana cilësuese në bashkëpunim, duke e dënuar për akuzën e “përkrahjes së autorit të krimit”, me vetëm 7 vite burg.

Prokuroria e akuzonte Stojkun si bashkëpunëtor të Ibrahim Licit në këtë ngjarje me pasojë vrasjen e dyfishtë dhe për këtë kërkoi 35 vite heqje lirie. Organi i akuzës pretendon se personi që qëlloi ndaj Astrit dhe Brahim Bilalit është Arsen Stojku, konkluzion i cili u arrit pas një analize ADN-je, të gjetur në një bidon uji në makinën që ekzekutorët përdorën në krim.

Ibrahim Lici, akuzohet si ideator i krimit të dyfishtë, emër i cili ditët e fundit ka ngjallur një sërë polemikash. Kjo sepse përmes një shkrese zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme nënkuptohet që ai është arrestuar në Turqi, dhe se ky shtet kërkon dosjen e tij për ta ekstraduar, por që nga ana tjetër Policia e Shtetit e mohon të jetë arrestuar.

Vëllezërit Bilali u vranë në oborrin e banesës së tyre në lagjen "Guerrile" të Shkodrës me breshëri armësh. Përplasjet mes grupeve kriminale në kryeqendrën e veriut dyshohet të ketë qenë shkaku, ndërkohë që familjarët e viktimave kanë dorëzuar ankim në Gjykatën e Apelit të Shkodrës kundër vendimit të dhënë në Shkallën e Parë ndaj Stojkut.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco