SYRI TV/ Ndërtoi pa leje, zyrtari socialist merr edhe tenderin 400 mijë €

12:12, 26/10/2022

Administratori socialist i Zall Herrit, Arben Maloku, ka siguruar një tender prej 400 mije erosh nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve, për ndërtimin e stacionit të pompave të ujit në Memaliaj. Edhe pse kompania e tij “Arb Trans” u kap disa javë më pare në shkelje të ligjit për ndërtimin e kateve pa leje, kjo nuk e ka penguar qeverinë Rama për ta shpallur fitues zyrtarin e tij socialist

SYRI TV

Kompania “Arb Trans 2020”, e krijuar nga administratori socialist i Zall Herrit, Arben Maloku, është pjesë e operatorëve fitues të një tenderi me vlerë mbi 400 mijë euro të zhvilluar nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve, për ndërtimin e stacionit të pompave të ujit në Memaliaj.

Sipas dokumenteve zyrtare, “Arb Trans” ka paraqitur ofertën më të lartë ndër katër operatorë pjesëmarrës në garë. Megjithatë, AKUM ka eliminuar të gjithë konkurrentët dhe në fund është shpallur fitues shoqëria private e krijuar në vitin 2010 nga Arben Maloku dhe aktualisht drejtohet nga babai i tij, Shyqyri Maloku.

Pak javë më parë, kompania “Arb Trans” u kap në flagrancë, pasi kishte ndërtuar kate pa leje në një godinë, në rrugën Myslym Shyri në Tiranë. Zbulimin antiligjor e bëri Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, i cili deklaroi se kompania e Arben Malokut kishte ndërtuar rreth 2700 metra katrorë pa leje. Çuçi deklaroi në 30 Shtator se sipërfaqja pa leje e ndërtuar nga kompania “Arb Trans” do të sekuestrohet, në bazë të një vendimi qeveritar shumë të diskutueshëm.

Por, të paktën deri më tani, Këshilli i Rregullimit të Territorit nuk ka ndërmarrë asnjë masë për konfiskimin e kateve pa leje të zyrtarit të saj, Arben Malokut. Qeveria është sjellë në mënyrë të njëjtë edhe me kompaninë “Salillari”. Edhe kjo e fundit u zbulua me kate shtesë në një godinë në zonën e Farkës.  Por, ndërkohë që Këshilli i Rregullimit të Territorit nuk ka marrë ende asnjë masë për paligjshmërinë e Salillarit, ky i fundit vijon të fitojnë tendera me vlerë miliona euro, të zhvilluara nga institucionet qeveritare.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco