Intervista/ Eskobar tenton shërimin e marrëdhënies Edi Rama- Yuri Kim

Intervista/ Eskobar tenton shërimin e marrëdhënies Edi Rama- Yuri Kim

20:47, 25/10/2022

Në një prononcim që zv.ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën, Gabriel Eskobar ka dhënë për Zërin e Amerikës dallohet menjëherë përpjekja e tij për të shuar një lloj nervozizmi që ekziston në marrëdhënien mes Edi Ramës dhe ambasadores amerikane, Yuri Kim.

Eskobar e nis me mbështetjen për ambasadoren amerikane, por më tej, kur i drejtohet Ramës, flet me tone të zbutura, madje duket se e justifikon kryeministrin shqiptar kur thotë se “çështjet e korrupsionit, çështjet e krimit të organizuar, kanë prekur gjithë rajonin, jo vetëm Shqipërinë”.

“Ajo që bën ambasadorja jonë atje është shumë përfituese për Shqipërinë. Ajo është personi kryesor për marrëdhëniet dypalëshe. Gjithshka që ajo bën, është në bashkëpunim shumë të ngushtë me Departamentin e Shtetit. Këto nuk janë qëndrime individuale, janë qëndrime institucionale. Dhe duhet të theksoj se çështjet e korrupsionit, çështjet e krimit të organizuar, kanë prekur gjithë rajonin, jo vetëm Shqiërinë, pra është e rëndësishme që të bashkëpunojmë për t’iu kundërvënë këtyre kërcënimeve”, është shprehur Escobar.

Megjithatë, bashkëpunimi që këshillon Uashingtoni nuk është më aq i lehtë. Përplasja mes Yuri Kim dhe Edi Ramës ka kulmuar në disa raste këtë vit. Ajo nuk i ka përmbajtur kritikat. Ai nuk ia ka kursyer helmin.

Krahasimi i Kim me sekretaret e partisë

Duhet të ishte një aktivitet rutinë i datës 18 mars me pedagogët e Universitetit Bujqësor, deri kur Edi Rama iu kthye me cinizëm rektorit, që merrte angazhime kokulur para ambasadores. Këtë të fundit e krahasoi me sekretaret e partisë së kohës së Enver Hoxhës.

“Më pëlqeu shumë ajo pjesa që tha rektori: ju garantojmë zonja ambasadore… M’u kujtua koha kur vinte sekretari i partisë nga komiteti dhe i thoshte ai dekani i vjetër: Ju garantojmë shoku sekretar i komitetit të partisë se ne do punojmë që partia dhe populli të jenë krenarë për ne. Edhe ne ju garantojmë, patjetër. Faleminderit shumë, këto kisha unë edhe suksese dhe rroftë miqësia shqiptaro-afgane”, u shpreh Rama duke gajasur sallën.

E përqeshur nga një duzinë burrash që i qëndronin përballë, Kim u zu në befasi: “Si e ke hallin? Jam e sigurtë që kishte diçka me përkthimin, nuk ishte i saktë. Dëgjova diçka të çuditshme”, u shpreh ajo. Më herët ambasadorja amerikane kishe folur kundër non-gratave të fushatës së 6 marsit, duke kujtuar se DASH kishte përcaktuar 4 të tillë. Përfshihej këtu edhe Vangjush Dako që drejtonte fushatën e PS në Durrës.

Akuzat e Kim nga 'Opinion'

Ditët e fundit të shtatorit, ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim foli për çështjen e kriminalitetit në Shqipëri. Dhe në mënyrën se si foli, duket se e vuri Edi Ramën para një zgjedhjeje. “Kush e ka në dorë këtë vend?” ishte pyetja që ngriti Kim.

“Mendoj se Shqipëria ka një reputacion të keq. Mendoj se këndvështrimi i Shteteve të Bashkuara në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri është i njohur. Duhet ta bëni këtë zgjedhje tani. Duhet të zgjidhni kush e ka në dorë këtë vend. Do ta kenë njerëzit e zakonshëm? Do ta kenë kriminelët? Kush do të ketë në pronësi tokën tuaj, të gjithë ato hotele dhe kush do të marrë përfitimet?” tha Kim në “Opinion”.

I pyetur për këto deklarata disa ditë më pas, kryeministri, Edi Rama ka refuzuar të japë një përgjigje të drejtpërdrejtë. Megjithatë ai tha se nuk binte dakord me gjuhën e përdorur. Sipas tij nuk mund të hidhet baltë mbi të gjithë shqiptarët.

“E para, unë e refuzoj kategorikisht këtë gjuhë. Që udhëheqësit duhet të zgjedhin kush duhet ta qeverisë këtë vend, qytetarët apo kriminelët. Për sa më takon, si udhëheqës i këtij vendi, e kam bërë zgjedhjen me kohë. E kam bërë zgjedhjen kur kam dalë kundër regjimit komunist. E kam bërë zgjedhjen kur kam hyrë në politikën shqiptare. Dhe e bëj zgjedhjen time çdo ditë. Nuk kam asnjë dilemë për këtë. Nga ana tjetër, të akuzosh “en block”, nuk ndihmon fare qytetarët. Nuk ndihmon fare luftën kundër krimit dhe pastrimit të parave, por përkundrazi, krijon një mjegull të madhe ku të vetmit përfitues janë kriminelët dhe pastruesit e parave. Për 1% të shqiptarëve që janë të lidhur me botën e krimit, nuk mund të hidhet baltë mbi 99% të tyre, as jashtë dhe as brenda”, u përgjigj Rama.

Largimi i Ramës nga salla, kur foli Kim

Njësoj pak ditë më parë, Rama refuzoi të dëgjonte fjalën e ambasadores në një aktivitet të përbashkët për gjyqësorin. Por para se të largohej ai u tregua cinik kur foli për ndërkombëtarë që mund ta “të ndajnë në publik gëzimin apo hidhërimin e për vendimet e gjykatave”, gjë që ai vetë as nuk kishte luksin ta mendonte.

“Një fjalim kritik mbetet i pakëshillueshëm, sa imitimi i diplomatëve që emocionohen publikisht për vendimet e gjykatave”, u shpreh ai.

Pas kësaj braktisi sallën dhe refuzoi të dëgjonte fjalimin e Yuri Kim.

Por çfarë e ka prishur marrëdhënien mes të dyve? Kim kishte folur mbi përpjekjet për të frikësuar gjyqtarët dhe prokurorët, sigurisht pa përmendur se nga kush vinte intimidimi.

“Ne jemi të vetëdijshëm se ka më shumë përpjekje për të joshur ose frikësuar gjyqtarët dhe prokurorët, për të shtrembëruar drejtësinë, për të këmbëngulur në mosndëshkimin e të fuqishmëve, me fjalë të tjera, për t’i tërhequr në të kaluarën. Gjyqtarët dhe prokurorët duhet të kryejnë detyrat e tyre në përputhje me ligjin, me integritet. Është koha për të thyer modelet e vjetra të korrupsionit dhe ndikimit të paligjshëm në sistemin gjyqësor. Shqipëria duhet të ecë përpara, jo mbrapa, madje as të qëndrojë në vend. Po i kushtojmë vëmendje të gjitha zhvillimeve dhe SHBA do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm zbatimin e Reformës në Drejtësi”, shkruajti diplomatja në Twitter.

Mesazhi kishte ardhur pas lirimit të Alqi Bllakos nga qelia me vendim të gjyqtarëve të Gjykatës së Posaçme. Ndërkohë që Lefter Koka, ish-ministri i Mjedisit i arrestuar për inceneratorët pret të lirohet nga burgu dhe ka kërcënuar se do të flasë./LAPSI

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco