Shtembari: Sunak premton shumë! Zhulali: Sfidë, kriza ekonomike! Meloni, siguri për rajonin

19:53, 25/10/2022

Ekspertja e çështjeve Europiane, Ilda Zhulali dhe gazetarja Mirela Shtembari, komentuan në edicionin e orës 19:00 me Juli Krisafin në Syri Tv zgjedhjen e kryeministrit të ri në Britaninë e Madhe dhe qeverinë e re në Itali. Shtembari tha se ish-kryeministrja Liz Truss nuk i mori parasysh aspektet financiare siç duhet ndërsa shtoi se Rishi Sunak i quajti politikat e Truss 'ekonomi përrallë'. Sipas saj, Rishi Sunak do rregullojë gabimet e Truss.

"Sunak premton shumë. Ardhja e Sunak do rregullojë gabimet e Truss. Ai është kryeministri më i ri britanik në 200 vite, 42 vjeç. Vjen me më shumë forcë, vjen duke thënë 'se unë kisha të drejtë'. Fitore historike për të."-tha Shtembari.

Ekspertja Ilda Zhulali tha se ajo që po ndodh në Mbretërinë e Bashkuar është një krizë politike brenda Partisë Konservatore. Sipas saj, ish-kryeministrja Liz Truss veproi në mënyrë fatale me ekonominë.

"Ka një mazhorancë të fuqishme por brenda Partisë Konservatore ka rryma të ndryshme. Dallojnë për tre tema kryesore. Një është Brexit, ka disa që kërkojnë të rishikohet kjo në raport me Irlandën e Veriut. E dyta është emigracioni, emigrantët e Ruandës, ka ndjeshmëri të publikut se çfarë duhet të ndodhë me këta që vijnë në Angli nëse duhet të depërtohen dhe e treta është kriza ekonomike.

Truss në propozimin e saj uli taksat duke shoqëruar me rritje shpenzimesh. Tregjet financiare u tronditën. Ky ishte një moment fatal për planin e Truss. Rishi Sunak thotë se do kontrollojë inflacionin. Do shikojmë si do e menaxhojë krizën. Ekonomia është pjesa kryesore që ka vëmëndjen e britanikëve."-deklaroi Zhulali.

Për situatën politike në Itali dhe qeverinë e re me në krye Georgia Melonin, ekspertja Ilda Zhulali u shpreh se ajo qeveri rrjedh nga vota e lirë dhe ka gjithë fuqinë që i nevojitet.

“Meloni sot nga sa kemi ndjekur në Parlament, ajo s’ka pasur kritika. Ka pasur frikëra brenda BE-së jo vetëm për kursin që do ndiqte Italia pas fitores së saj. Ajo edhe gjatë fjalimit ka bërë të gjitha konfirmimet e mundshme që mund të bëhet kryeministri i një vendi kaq të madh të BE. Një nga vendet që ka themeluar BE-në. Meloni sot i shoi të gjithë frikërat se Italia mund të lëvizte nga kursi i saj pro-europian. Georgia Meloni ofron siguri edhe për rajonin.”-tha Zhulali.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco