U kap me 522 mijë euro/ Shoferi: Unë në burg, pushtetarët lëvizin të lirë

U kap me 522 mijë euro/ Shoferi: Unë në burg, pushtetarët lëvizin të lirë

11:47, 25/10/2022

Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Elidon Çelën, shoferin dhe njëkohësisht pronarin e autobusit të linjës Itali-Shqipëri, ku disa ditë më parë Policia Kufitare në Portin e Durrësit zbuloi dhe sekuestroi 522 000 euro të fshehura në brendësi të autobusit.

Gjatë seancës për vlerësimin e masës bëhet e ditur se i akuzuari për pastrim të produkteve të veprës penale, ka deklaruar se shuma prej 522 000 euro janë produkt i punës së tij të ndershme dhe të familjes së tij dhe se nuk janë të ardhura të grupeve apo personave të inkriminuar në aktivitete të paligjshme.

“Ka pushtetarë që i vjedhin shtetit 4 milionë euro dhe lëvizin të lirë, ndërsa unë në burg me paratë e mia”, tha Çela.

Avokati i tij, Gramoz Lika, tha pas seancës: “Shoferi pretendon se ka 27 vite që punon në Itali familjarisht. Lekët janë kursime ndër vite dhe i kishte sjellë që të investonte në Shqipëri”.

Ndërkohë, për dy ndihmësit e shoferit Elidon Çela, gjykata vendosi lirimin e tyre, pasi rezultoi se nuk kishin dijeni për fshehjen e shumës prej 522 000 eurosh.

Lika u shpreh se vendimi do të apelohet.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco