VIDEO/ 'Përplasja' Rama-Yuri Kim, dueti i reformës së vdekur të drejtësisë

20:15, 20/10/2022

Shumëkush e ka përshkruar atë që ndodhi këtë të enjte në 30-vjetorin e Gjykatës Kushtetuese si fërkimin e parë publik mes ambasadores Yuri Kim dhe kryeministrit Rama. Fjalët se prej kohësh shefi i qeverisë shqiptare po e luan menç diplomaten duke i ndërprerë komunikimin, vërejtjet e saj për pengim të punës së drejtësisë dhe largimi demonstrativ i Ramës nga salla, përpara se diplomatja amerikane të ngjitej në podium, i kanë dhënë edhe më hov pandehmës se ka diçka që nuk shkon.

Ajo u pa edhe sot në në shigjetimin e drejtpërdrejtë që shefi i ekzekutivit i bëri qëndrimeve të ambasadores lidhur me disa vendime të gjykatave që u bënë edhe më të forta pas dajljes nga burgu të ish-deputetit Alqi Bllako, të përfshirë në aferën e inceneratorëve.

Rama foli për ndërkombëtarë që nuk ndihen të huaj te drejtësia, por kanë luksin “të ndajnë në publik gëzimin apo hidhërimin e për vendimet e gjykatave”, gjë që ai vetë as nuk kishte luksin ta mendonte.

“Një fjalim kritik mbetet i pakëshillueshëm sa imitimi i diplomatëve që emocionohen publikisht për vendimet e gjykatave”, vijoi ai para se të braktiste sallën kur do të fliste Yuri Kim.

Kuptohej qartë se kunjat ishin për ambasadoren që ka folur më shumë se dy herë gjatë ditëve të fundit.

Më 11 tetor, diplomatja amerikane u shpreh se ishte në dijeni të disa përpjekjeve për të joshur apo frikësuar gjyqtarët dhe prokurorët, në mënyrë që të mos ketë ndëshkime për më të fuqishmit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kim tha se tani është koha për të thyer modelet e vjetra të korrupsionit dhe ndikimit të paligjshëm në sistemin gjyqësor. Sipas saj, gjyqtarët dhe prokurorët duhet të kryejnë detyrat e tyre në përputhje me ligjin, me integritet.

“Ne jemi të vetëdijshëm se ka më shumë përpjekje për të joshur ose frikësuar gjyqtarët dhe prokurorët, për të shtrembëruar drejtësinë, për të këmbëngulur në mosndëshkimin e të fuqishmëve, me fjalë të tjera, për t’i tërhequr në të kaluarën. Gjyqtarët dhe prokurorët duhet të kryejnë detyrat e tyre në përputhje me ligjin, me integritet. Është koha për të thyer modelet e vjetra të korrupsionit dhe ndikimit të paligjshëm në sistemin gjyqësor. Shqipëria duhet të ecë përpara, jo mbrapa, madje as të qëndrojë në vend. Po i kushtojmë vëmendje të gjitha zhvillimeve dhe SHBA do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm zbatimin e Reformës në Drejtësi”, shkruajti diplomatja në Twitter.

Para dy ditësh ajo ka zhvilluar një tjeter takim të rëndësishëm me gjyqtarë të Gjykatës së Posaçme ku nuk mungoi një tjetër deklaratë e fortë drejtuar gjyqtarëve. “Me vendimet tuaja ju keni në dorë fatet e vendit, jepni vendime të drejta që fëmijët tuaj mos braktisin vendin”, ka thënë Kim në takim.

Në fakt, po t'i shohësh qëndrimet e kryeministrit dhe ambasadores jashtë sfondit të ngjarjeve dhe të shkëputura nga konteksti, duket sikur Rama ka të drejtë. Eshtë krejtësisht e paimagjinueshme, në një vend anëtar të NATO-s, që diplomatët të bëjnë varavingo nëpër prokurori dhe gjykata, të bëjnë presion apo të shprehen publikisht për vendimet e drejtësisë që nuk pëlqehen prej tyre. Në çdo shtet që nuk vetëkonsiderohet si republikë bananesh, kjo do të përbënte një skandal. Aq më tepër që Shqipëria ka një veçori. Këtu me kontributin dhe paratë e evropianëve dhe amerikanëve u bë reforma në drejtësi. SPAK-u dhe Gjykata e Posaçme duhet të ishin margaritarët e kurorës së pavarësisë dhe fundit të pandëshkueshmërisë. Pas krijimit, ata nuk duhet të kishin më nevojë për vizitat e ambasadores amerikane, për presionin apo mbrojtjen e saj për të marrë vendimet e duhura.

Por, fakti që kjo po ndodh, apo ai se Rama kundër-reagon, tregojnë se reforma në drejtësi ka vdekur. Yuri Kim më në fund e ka parë se qëndrimi amerikan po qesharakëzohet, pasi të gjithë e kanë kuptuar kapjen e drejtësisë nga pushteti. Ajo thotë ndonjë fjalë aty-këtu, bën ndonjë gjest, reagon sa për fasadë, në mënyrë që së paku t'i shpëtojë faqen një gërmadhe që është korruptuar së brendshmi.

Ajo nuk po lufton më për drejtësinë, por që mos asistojë e turpëruar në spektaklin e lirimit nga burgu të grabitësve të inceneratorëve. Ndërsa Rama, ndonëse në formë duket sikur ka të drejtë, në thelb bllofon, pasi ai nuk mbron pavarësinë e prokurorisë dhe gjykatave, por uzurpimin e tyre. Ai e ka mposhtur aq tepër sistemin, sa tani bezdiset edhe kur ambasadorja bën ndonjë vërejtje sa për fasadë, apo kërkon që mos bëhet baltë duke mbrojtur dhe peshqit e vegjël.

Prandaj ai tallet dhe e injoron Yuri Kim-in. Së pari, pasi tani ndihet i sigurtë se drejtësia që kapi me ndihmën e ndërkombëtarëve, nuk ka se ç’i bën më, dhe e dyta, se i ka lidhur fijet aq lart mbi kokën e ambasadores, as ajo i duket si një ushtare e tejkaluar e rilindjes./LAPSI

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco