Berisha: Rama i dha 8 mln € Salillarit, si shpërblim për pallatin pa leje! Burgosi 3415 shqiptarë për shtesa e kotece

18:02, 27/09/2022

Kryetari i PD, Sali Berisha, në një takim me banorët e Gramshit tha se kryeministri Rama i ka dhënë një ditë më parë 8 milionë euro oligarkut Pëllumb Salillari, si shpërblim për një pallat pa leje.

Më tej Berisha hodhi akuza ndaj Ramës duke thënë se ka burgosur me vendim gjykate 3415 shqiptarë për shtesa dhe për ndërtim kotecesh pa leje.

“Ky njeri nuk ka ndjenja për shqiptarët. Mund të duket gjë e vogël, po nuk është, mbylli kopshtin e 250 fëmijëve dhe sikur nuk ka ndodhur asgjë. E ka vetë një vogëlush në shtëpi, por me siguri e mban me 3 dado, nuk e çon në kopsht. Si mund të ua mbyllësh kopshtin 250 fëmijëve.

Si mund të mbyllet shkolla. Këtu nga Gramshi më erdhi një mesazh, unë kam vajzën në atë shkollë ‘Mehmet Akif’, sepse ajo shkollë ka edhe konvikte, edhe ndihmon familjet në nevojë, por është shkollë e shkëlqyer, me standardet më të mira.

Çfarë ndodhi sot, çfarë u tha gjykatësi. Gjykatësi u lexoi atë që i kishte dhënë Edi Rama; nuk ka dëm, prandaj vendimi mbetet në fuqi.

Ndaj dhe thirrja ime për ju, për çdo qytetar të Gramshit, për çdo qytetar shqiptar, të vendosim për të shpëtuar Gramshin dhe Shqipërinë nga kjo rrokullisje e një njeriu i cili në qëndrimet e tij nuk ka asgjë njerëzore dhe kombëtare.

Çdo shqiptar që i thotë vetes shqiptar, e sheh se kryeministri i Shqipërisë ka për idhull presidentin e Serbisë. E sheh se ky, 2-3 herë në javë bën avokatinë e tij, në një kohë që fajëson kryeministrin e Kosovës se po merret me të shkuarën. Me të cilën të shkuar po merret kryeministri i Kosovës.

Ajo e shkuar 20 vite përpara, janë 12 mijë shqiptarë të djegur, të vrarë dhe ekzekutuar. Askush në botë nuk e thotë këtë.

Deri më sot, nuk keni dëgjuar asnjëri prej jush, një shtetar të një vendi të lirë, të thotë të injorojmë krimet që janë kryer. Përkundrazi duhet të njihen. Pra i vetmi njeri që u thotë shqiptarëve në Kosovë dhe qeverisë së Kosovës, nuk jemi dakord, kemi dallime në lidhje me qëndrimin ndaj të shkuarës. Dhe ky qenka kryeministri i Shqipërisë, ky është turpi i Shqipërisë, ky nuk ka asgjë shqiptare.

Ik duhet ti themi me revolta popullore. Ne duhet të ngrihemi. Koha është se çdo qytetar i Gramshit, shqiptar, të ngrihemi për ti dalë zot vetes tonë, qenies tonë.

Si ka mundësi që ky rreth i bekuar nga Zoti me bukuri natyrore, të rrudhet e pakësohet çdo muaj e më shumë dhe fëmijët e tij të dalin nëpër botë.

Çfarë më tha një zonjë në Pukë, më qan zemra, dal e shoh në shesh ata pak të rinj që kanë ngelë. Shëtisin dhe kthehen në drekë për të marrë vaktin e ushqimit nga prindërit pensionistë. Në një kohë Puka si Gramshi, kanë potenciale shumë të mëdha. Por këtu nuk pyettet për asgjë, përveç pasurimit të tyre.

Janë dënuar me burg 3415 qytetarë, për çati, kotece e ndërtime pa leje. Sepse për tu ndjekur penalisht janë me mijëra. Po oligarku Salillari çfarë pësoi për pallatin. E dini ju, mori dje 8 mln euro të tjera tender nga Rama, si shpërblim për pallatin pa leje që ndërtoi. Pra jo dy standarde, por është një diskriminim ndaj qytetarëve. Njërin e fut në burg për një kotec, tjetri ndërton pallat 10 katësh pa leje dhe të nesërme shpërblehet. Pse, sepse ai i çon baulet me euro, ndan pallatin me të.”-tha Berisha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco