Irani tallet me qeverinë e Ramës: Jemi gati t'ju dërgojmë ekspertë për të hetuar sulmin kibernetik

Irani tallet me qeverinë e Ramës: Jemi gati t'ju dërgojmë ekspertë për të hetuar sulmin kibernetik

17:27, 14/09/2022

Irani akuzohet nga qeveria shqiptare dhe SHBA e NATO se qëndron pas dy sulmeve kibernetike, çka solli nxjerrjen jashtë funksionit fillimisht portalin e shërbimeve online e-albania në muajin korrik dhe ndaj pikave të kalimit kufitar dhe sistmit TIMS pak ditë më parë. 

Por surpriza ka ndodhur ditën e sotme nga Teherani. 

Mund të duket hipokrizi, por Qendra Kombëtare Iraniane e Hapësirës Kibernetike thotë se është e gatshme të dërgojë në Tiranë një ekip specialistësh që do të hetojnë sulmet kibernetike në fjalë.

“Pretendimi i Shqipërisë për të akuzuar Iranin për kryerjen e sulmeve kibernetike është një gënjeshtër e pastër, pasi vetë Republika Islamike e Iranit është ndër viktimat e sulmeve të tilla, të cilat janë kryer kundër rrjetit të saj të shpërndarjes së karburanteve, terminalit të porteve, sistemit të metrosë dhe objekteve bërthamore”, thuhet në deklaratë.

Në reagimin e Qendrës Iraniane për Hapësirën Kibernetike, një institucion i kontrolluar nga shteti iranian dhe që ka në përbërje të tij zyrtarë të qeverisë iraniane, Shqipëria thuhet është një shtet që strehon “terroristët”, duke iu referuar muxhahedinëve, të cilët “kanë shkaktuar dëme të shumta ndaj Iranit”.

Më tej në reagim hidhet ideja se pas sulmit kibernetik qëndron një komplot i madh nga Perëndimi për të akuzuar Iranin.

“Ka dokumente dhe prova të mjaftueshme që një skenar ndërkombëtar, i motivuar politikisht, i udhëhequr nga vende që janë vetë pionierë të sulmeve kibernetike, është nisur në një shkallë shumë të gjerë për të akuzuar vendin tonë për sulme të tilla”, thuhet në deklaratë ndonëse nuk paraqitet ndonjë nga provat e pretenduara.

Shqipëria vendosi të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Iranin për shkak të sulmit kibernetik, me argumentin se ishin arritur prova të mjaftueshme që pas sulmit qëndronin grupe hakerash të sponsorizuar nga qeveria iraniane. Shqipëria u bë kështu vendi i parë në botë që ndërpret marrëdhëniet diplomatike për shkak të një sulmi kibernetik.

Irani e quajti vendimin e Shqipërisë për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike si “të pabazuar” dhe “të paargumentuar”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco