Hackerat sulmojnë SHISH, Policinë dhe TIMS, bllokohen pikat kufitare në vend

15:38, 10/09/2022

Policia e Shtetit, SHISH dhe Sistemi Tims kanë qenë objektivat e radhës të hakerave Iranian në vendin tonë. Prej së premtes sistemi TIMS është jashtë funksionit duke bllokuar të gjitha pikat kufitare në vendin tonë.

Lajmi është konfirmuar edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh se po punohet për rikuperimin dhe forcimin e mbrojtjes.

Një tjetër sulm kibernetik nga të njëjtët agresorë, tanimë të ekspozuar dhe dënuar prej vendeve aleate e mike të Shqipërisë, është shënuar mbrëmë mbi sistemin TIMS! Ndërkohë vazhdojmë punojmë përditë pa orar me aleatët për t'i bërë të papenetrueshme sistemet tona digjitale.

Por sistemi TIMS duket se nuk është i vetmi i sulmuar në orët e fundit nga hakerat iranianë. Pre e sulmeve kanë rënë edhe serverat e brendshëm të Policisë së Shtettit. Burime nga Policia bëjnë me dije se sulmi i parë ka ndodhur rreth orës 22:00 por fillimisht nuk është menduar për sulm, pasi ky sistem ka dhënë probleme edhe në të shkuarën në raste ngarkese. Por kur e njëjta situatë është përsëritur për herë të dytë, Policia ka fikur serverat në mënyrë që të mosdepërtohet edhe më tej. Por ky sulm ka sjell edhe problemet e para, pasi aktualisht është i bllokuar edhe sistemi ku mbahen shenjat e gishtave, gjeneralitetet dhe të dhënat e personave me precedent penal, të cilët mund ta shfrytëzojnë këtë kohë për të lëvizur lirshëm apo edhe për të kaluar kufirin.

Ndërkohë, burime konfidenciale kanë bërë me dije për Syri Tv se pak ditë më parë janë sulmuar edhe serverat e Shërbimit Informativ Shtetëror, duke dëmtuar dhe marrë akses në shumë infomacione të rëndësishme të këtij institucioni. E gjithë administrata e SHISH nuk ka pasur akses në e-maile dhe sistemet e brendshme prej ditësh. SYri Tv kontaktoi për konfimimin e këtij informacioni edhe pranë Kryeministrisë, në varësi të së cilës është edhe SHISH, por nga ana e zyrës së shtypit refuzohet me heshtje që të jepet infomacion, apo të mohohet sulmi ndaj SHISH.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco