‘Bëra 7-8 kallëzime në Polici, askush s’ma vuri veshin’/ Vrasësi i vëllait dhe kunatës pretendohet se është me probleme mendore

‘Bëra 7-8 kallëzime në Polici, askush s’ma vuri veshin’/ Vrasësi i vëllait dhe kunatës pretendohet se është me probleme mendore

09:48, 02/09/2022

Ajo çfarë ka ndodhur mes vëllezërish Muskurti derisa u arrit në fundin e tmerrshëm të vrasjes së Dritan dhe Nora Muskurtit lidhet veç të tjerave edhe me heshtjen e Policisë dhe të autoriteteve.

Ndërkohë që janë një mori padish, kërkesash për urdhër-mbrojtje, denoncim i viktimave 4 ditë para vrasjes, kur janë kërcënuar sërish nga Arsen Muskurti e deri te pretendimi i këtij të fundit në Gjykatë dje se ai ka kallëzuar 7-8 herë në Polici profilet false që po e sulmonin dhe po i degradonin figurën publikisht. Por, si duket askush nuk ka ndërhyrë për të mundësuar parandalimin e ngjarjes së rëndë, për pasojë të së cilës u vranë dy persona, mbeten 3 fëmijë jetimë dhe u shkatërrua një familje e tërë.

Seanca

Arsen Muskurti, autori i vrasjes së dyfishtë në Tiranë është lënë në burg nga Gjykata Penale, e cila pranoi kërkesën e Prokurorisë për arrest me burg për veprat penale “Armëmbajtje pa leje” dhe “Vrasje në rrethana familjare të 2 personave”.

Gjyqtari i seancës ishte Artan Gjermeni. Sapo mbërriti brenda sallës, Arsen Muskurti përshëndeti me dorë mediat dhe ashtu siç kreu krimin me gjakftohtësi, edhe gjatë seancës gjyqësore, ka pranuar po më të njëjtën gjendje se ka vrarë vëllanë dhe kunatën, pa asnjë hezitim. Ndërsa avokati u shpreh se armën e kishte me leje dhe u vetëdorëzua në komisariat, duke hedhur kështu poshtë deklaratën e ministrit të Brendshëm, Bledar Çuçi se Policia në bashkëpunim me forcat RENEA vunë në pranga në kohë rekord autorin. Burime bëjnë me dije se kishte leje për të mbajtur armën brenda në banesë.

Sipas avokatit, Muskurti ishte në gjendje të rëndë psikologjike dhe merrte mjekime, ndërsa kishte bërë disa kallëzime ndaj viktimave, por pretendon se nuk ishin marrë parasysh nga Policia. Po ashtu, është kërkuar që të bëhen edhe ekzaminimin e nevojshme për të mësuar gjendjen e shëndetit mendor të autorit të krimit të rëndë, ndërkohë që nuk dihet ende se si i është lejuar mbajtja e armës për sa kohë ai ka qenë me probleme të shëndetit mendor. Por, krahas gjithë asaj masakre që ndodhi në mes të Tiranës, familjarë të viktimave Dritan dhe Nora Muskurti kanë folur jashtë sallës së Gjykatës, duke hedhur edhe akuza ndaj Policisë se nuk e ka parandaluar krimin.

Sipas tyre, viktimat u kërcënuan me armë 4 ditë para vrasjes dhe dërguan pamjet në Polici, por nuk u mor asnjë masë. Bëhet me dije nga miqtë dhe familjarët e Dritanit se Arseni ishte i dhunshëm dhe më herët kishte rrahur edhe një tjetër person nga Kukësi, ndërsa ishte denoncuar edhe nga lagjja për problemet që hapte. Por, Policia dhe Prokuroria nuk kanë dhënë asnjë informacion nëse ka qenë i skeduar ndonjëherë apo jo.

Mbrojtësi i autorit të vrasjes

Avokati i Arsen Muskurtit foli për mediat sapo u dha masa e sigurisë duke thënë se autori nuk u arrestua nga Policia, por u vetëdorëzua në komisariat. Sipas tij, autori ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike, ka bërë 7 kallëzime penale ndaj viktimave, por pretendon se Policia e Shtetit nuk ka marrë masa. Kështu, avokati kërkon të hedhë poshtë deklaratën e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi, i cili tha se autori u prangos vetëm pak orë pas ngjarjes nga Policia dhe forcat RENEA. “Është dorëzuar vetë, kam parë shumë trillime nga mediat, më ka dërguar mua personalisht që ta dorëzoj, kemi shkuar vetë në ambientet e Komisariatit që ta bëjmë dorëzimin. Ka qenë në gjendje shumë të rënduar psikologjike. Merrte dhe mjekime. Ai ka kryer 7 kallëzime penale ndaj të ndjerit dhe së ndjerës, ndërsa Policia e Shtetit nuk ka marrë asnjë masë. Kallëzimet janë sekret hetimor, nuk mund t’i nxjerrim. Por nuk është arratisur, jua bëj me dije. Që në vitin 2018, ka pasur probleme e merrte mjekime. Armën e ka pasur me leje dhe kemi paraqitur çdo lloj dokumentacioni të nevojshëm”, tha avokati.

Ngjarja

Referuar të dhënave të grupit hetimor, mësohet se Arsen Muskurti ka debatuar fillimisht me të vëllanë, Dritanin dhe gruan e tij, Nora, në biznesin e tyre. Autori ka nxjerrë armën para se të hynte në agjencinë turistike, por pas debatit i ka qëlluar me 5 plumba, të cilat kanë rezultuar fatalë, duke u marrë jetën në vend. Pas arrestimit rreth dy orë pas ngjarjes, 38-vjeçari çoi hetuesit në rrugë të gabuar për të gjetur armën e krimit.

Ishte njëra prej dy grave të tij, e cila rrëfeu para hetuesve vendin ku ai fshehu pistoletën. Ajo u dha kodin e kasafortën, vetëm disa metra larg biznesit të agjencisë së udhëtimeve ku ndodhi vrasja. Mësohet se autori i kishte viktimës një borxh prej 150 mijë eurosh, për të cilin Alban Muskurti kishte hapur edhe një proces gjyqësor, për të cilin Arseni kishte kërcënuar edhe avokaten e të vëllait.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco