Ekspertja: Siguria kombëtare në rrezik! Rama të japë llogari, mos të promovojë ‘Open Balkan’!

20:22, 22/08/2022

Ekspertja e integrimit dhe çështjeve të rajonit Ilda Zhulali komentoi në edicionin e orës 19:00 në Syri Tv sulmin e rusëve në uzinën e armëve në Gramsh. Zhulali deklaroi se është i domosdoshëm rishikimi i dokumentit strategjik për Shqipërinë edhe për faktin se jemi anëtarë të NATO-s.

Zhulali përmendi edhe sulmin e fundit kibernetik në Shqipëri për të cilin tha se shërbimet publike jo vetëm që nuk u ofruan, por nuk dihet se çfarë ndodhi me të dhënat personale të shtetasve shqiptarë dhe qeveria duhet të japë llogari pasi është cenuar siguria kombëtare.

"Luhatje në politikën tonë të jashtme. E kemi përcaktuar Rusinë si aktorin kërcënues më të madh dhe të drejtpërdrejtë por nuk po shikojmë cilët janë aktorët e tjerë bashkëpunues me Rusinë të cilët përbëjnë një kërcënim për rajonin tonë dhe interesat tona kombëtare, të NATO-s dhe BE-së.

Duhej një punë ndryshe e institucioneve shqiptare, për politikën e jashtme, ato të sigurisë, kjo sjell që institucionet të veprojnë të çoroditur. Për sa kohë s'janë të orientuara qartë qoftë në nivelin makro apo mikro, një dokument që do t'i vërë nesër para përgjegjësisë, institucionet shqiptare gjenden tani para një pozite ku duhet të përgjigjen në mënyrë rastësore me sfidat që përballemi.

Dua të kujtoj sulmin e fundit kibernetik. Ende nuk dimë çfarë ka ndodhur me të dhënat, kush i ka në dorë, çfarë mund të ndodhë me përdorimin e tyre, çfarë masash ka marrë qeveria shqiptare që kjo të mos ndodhë? Mënyra si u menaxhua lajmi për sulmin kibernetik, neve morëm shumë pak informacion, informacioni përvidhej nga mediat e gazetarët se sa të kishte një komunikim strategjik nga qeveria.

Qeveria shqiptare e ka detyrim të japë llogari para qytetarëve, e jo vetëm të informojë. Ka patur një dobësi, duhet të tregojnë nëse paratë që janë hedhur për sistemet mbrojtëse kanë shkuar për funksionimin e tyre apo jo? Ky është një rast ku siguria kombëtare është cënuar."-tha Zhulali.

Ndër të tjera ekspertja Ilda Zhulali tha se kryeministri Edi Rama përpiqet gjithmonë të devijojë vëmëndjen nga çështjet që prekin jetën e të gjithë shqiptarëve.

“Nuk janë vetëm çmimet e larta që vijnë prej rritjes së çmimeve në bursat ndërkombëtare, por duhet të na informojë për të gjitha pasojat e tjera të mundshme. Mos të na kujtojë Rama si të kursejmë energjinë në mëngjes, por të japë llogari se çfarë masash ka marrë ai që shqiptarët të mos e ndjejnë deri në lëkurë, deri në kushtet e mbijetesës të kësaj krize që pritet mbase të përshkallëzohet në dimër. Konflikti në Ukrainë është në një pikë të paparashikueshme.

Nga ana tjetër Rama më tepër energji ka harxhuar për të promovuar Ballkanin e Hapur, për të bërë fushatë rivalizimi ndaj BE, kur duhej bërë e kundërta, integrimi në BE duhet të jetë përparësi absolute. Çdo nismë tjetër është në dëm të interesit tonë kombëtar dhe cënon sigurinë kombëtare të Shqipërisë.”-tha Zhulali.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco