Inflacioni 7.2% në korrik të këtij viti, çmimet më të larta tek ushqimet dhe transporti

16:05, 20/08/2022

Ushqimi, pijet alkoolike dhe transporti janë grupet që kanë pësuar rritjen më të madhe të çmimeve përgjatë muajit korrik 2022. Inflacioni në këtë muaj sipas matjeve të Eurostat rezultoi 7,2%.

Inflacioni në muajin korrik i matur nga metodologjia e Eurostat rezultoi 7,2% ose 0.3% më pak se matjet nga metodologjia kombëtare. Sipas INSTAT ndryshimi vjetor i matur nga indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin korrik 2022 është 7,2%.

Rritja më e madhe e çmimeve në Shqipëri, vihet re se aplikohet në produktet dhe shërbimet më të domosdodhme jetësore. Një rritje me 14,5% vërehet në grupin “Transporti”, çka lidhet me rritjen e çmimit të hidrokarbureve, për të vijuar më tej me grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 12,4%.

Ndërkohë në produkte të tjera më pak të domosdoshme, vihet re se rritja është më e ulët. Grupi “Pije alkoolike dhe duhan” ka shënuar rritje me 4,5%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 4,4%, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 4,2%, “Veshje dhe këpucë” me 3%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 2,8%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 2%, “Shërbimi arsimor” me 1,2%, “Shëndeti” me 1,1%. “Komunikimi” me 0,7% dhe grupi “Argëtim dhe kulturë” me vetëm 0,6%.

Referuar këtyre statistikave, Monitor raporton se ndryshimi mujor i matur nga indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0,6% në muajin Korrik 2022.

Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,0%, pasuar nga grupet “Shëndeti” me 0,8%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,7%, “Veshje dhe këpucë” me 0,5%, “Shërbimi arsimor” me 0,3%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje”, “Komunikimi” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,2% secili, ndërsa çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u ulën me 0,1%.

Inflacioni i korrikut në Shqipëri ishte në mesataren e Eurozonës 9.8%, e katërta në Europë për inflacionin e ulët.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco