Fact-Checking/ Covid-19, Shqipëria teston më pak se rajoni. Laboratorët të përqëndruar në Tiranë

Fact-Checking/ Covid-19, Shqipëria teston më pak se rajoni. Laboratorët të përqëndruar në Tiranë

17:57, 18/03/2021

Nga Julian Hoxhaj 

Në 9 mars u bë një vit nga prania zyrtare e rasteve me covid në vendin tonë. Që prej asaj dite e deri më sot, Shqipëria është duke u përballur me një nga sfidat më të mëdha shëndetësore, e cila ka lënë pasoja të mëdha ekonomike e sociale. Kryefjala e luftës ndaj pandemisë ka qenë testimi, si mjeti kryesor për zbulimin e covid dhe parandalimin e përhapjes së infeksionit. Të dhenta e mbledhura në rrugë zyrtare, nga organizata të ndryshme dhe institucione të tjera, tregojnë se Shqipëria është nga vendet me numrin më të ulët të testimeve në rajon në raport me popullsinë. Në artikullin e mëposhtëm, janë paraqitur të dhëna zyrtare nga autoritetet shëndetësore shqiptare, të dhëna nga institucione statistikore, deklarata nga zyrtarët shqiptarë, zyrtarë të OBSH, raporte dhe analiza si dhe ballafaqim deklaratash për çështjen e testimeve anti-covid në Shqipëri.

Debati në Shqipëri për testimin masiv

Pak javë pas nisjes zyrtare të pandemisë në Shqipëri, në mars të vitit të kaluar, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manasterliu deklaronte se vendi ynë do të kryente testime sipas rekomandimeve të OBSH. Këtë deklaratë, ministrja e bënte gjatë një mbledhje online me ministra të tjerë të kabinetit të qeverisë, ku shprehej se testime do të kryheshin sipas nevojës. ““Numri i testeve nuk është sipas dëshirës. Numri i testeve realizohet në bazë të rekomandimeve të OBSH dhe Komitetit Teknik të Ekspertëve. Ne testojmë me fokus ndërprerjen e zinxhirit të COVID-19. Eshtë e nevojshme të theksoj se kemi bërë testime aq sa nevoja ka pasur. Epidemiologet po bëjne një punë shumë të mirë në terren për identifikimin e vatrave në të gjithë vendin. Ndërsa testimi masiv nuk përjashton riskun për popullatën”,-shprehj Manastirliu. Kjo deklaratë do të përsëritej shpesh nga kabineti qeveritar, në muajt e parë të pandemisë. Justifikimi i Kryeministrit Edi Rama për këtë ishte fakti se testimet kryheshin sipas rekomandimeve të OBSH. “Testimet po kryhen sipas rekomandimeve të OBSH-së. Zvicra që është një nga vendet më të pasura dhe që ka një nga sistemet më të mira shëndetësore në botë, ka vendosur të mos testojë nën 65 vjeç dhe testet t’i kryejë për ata që janë në situatë kritike. Jemi në mesataren e rajonit sa i takon testeve. Askush nuk e ndalon dot virusin, do të përhapet, do ta bëjë të veten siç thuhet në gjuhën popullore, por ne vetëm mund ta reduktojmë masën e përhapjes”, deklaronte kryeministri gjatë një interviste për “Euroneës”. Nga ana tjetër, opozita dhe drejtuesi i saj Lulzim Basha që në nisje të pandemisë kërkonin testim masiv të qytetarëve për të ndërprerë zinxhirin e infektimeve. “Testimi, testimi, testimi nuk është vënë kot theksi tek kjo sepse gjithë sakrifica për të qëndruar në shtëpi, për të qëndruar të izoluar mund të na shkojë kot në qoftë se ne nuk arrijmë të evidentojmë të gjithë ata që janë prekur apo janë infektuar, apo janë mbartës të virusit dhe nuk ka rrugë tjetër për ta bërë këtë, përveçse testimit masiv”-shprehej Lulzim Basha në prill të vitit të kaluar.

OBSH rekomandon testim masiv që në nisje të pandemisë

Nga ana tjetër, Organizata Botërore e Shëndetësisë që në fillim të pandemisë sygjeronte disa masa për parandalimin e përhapjes së pandemisë.  Në 17 mars të vitit të kaluar, ku shumë prej shteteve të Europës ishin në mbyllje totale dhe në kolaps për shkak të numrit të madh të infektimeve dhe vdekjeve, Organizata Botërore e Shëndetësisë kërkonte testim masiv. Në një deklaratë të shefit të OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus, thuhej se “nuk mund të luftohet pandemia, nëse nuk e di se kush është i infektuar”. “Nuk mund të luftosh një pandemi nëse nuk e di kush është i infektuar. Sepse nuk mund të luftosh një zjarr me sytë e mbyllur”, shprehej shefi i OBSH. Por deri në fund të verës, Shqipëria vijonte të kishte një numër të ulët të testimeve në rajon dhe në Europë, krahasuar me numrin e popullsisë.  Vetëm ëprgjatë muajit nëntor të viti të kaluar, ose 8 muaj pas nisjes së pandemisë, Ministria e Shëndetësisë nisi të kryente më shumë se 2500 teste në ditë, një kërkesë të cilën opozita e kishte bërë shumë më herët. Rritja e testimeve, tregoi në mënyrë progresive edhe rritjen e infektimeve, e cila sipas ekspertëve nuk ishte gjë tjetër por rritje e zbulueshmërisë së infeksionit për shkak të numrit të madh të testeve që kryheshin nga autoritetet publike dhe në laboratorët privat.

Tirana, qyteti me numrin më të madh të testimeve ditore

Mjeku Ilir Alimehmeti, pak ditë më parë ka bërë një analizë të situatës nga testimet në vendin tonë lidhur me Covid-19. Në një postim në Facebook, mjeku i njohur ka treguar se sa më i madh të jetër numri i testimeve që kryhen, më e lartë do të jetë dhe zbulueshmëria e Covid-19. Sipas Ilir Alimehmetit, Tirana është qyteti me numrin më të madh të testimeve në Shqipëri, për rrjedhojë është dhe qyteti që ka zbulueshmëri të madhe të rasteve ditore.

Miqtë e mi, sot le të mundohemi të hedhim një sy më të detajuar mbi situatën COVID-19 në Shqipëri nga mesi i janarit e deri më sot. Fillimisht le të vëmë në dukje dy keqkonceptime! Keqkonceptimi i parë: Të dhënat ditore nuk tregojnë një kuadër ecurie pasi mund të kenë luhatje sporadike, si rrjedhojë le t’i shohim në bazë javore. Keqkonceptimi i dytë: Të gjithë mendojnë se Tirana është qarku në gjendje më të rëndë, por në fakt jo vetëm ka popullatën më të madhe por edhe numrin më të lartë të testimeve. Për të ndrequr këto dy keqkonceptime, në figurën e parë mund të shohim incidencën dhe testimet sipas secilit qark për çdo 100.000 banorë, për javët:

21-27 janar,
28 janar – 03 shkurt,
04-10 shkurt,
11-17 shkurt, dhe
18-24 shkurt 2021.

Siç duket shumë qartë, testimet janë shumëfish më të larta në Tiranë. Incidenca është vetëm lehtësisht më e lartë në Tiranë kur përllogaritet për 100.000 banorë, por incidenca varet shumë pikërisht nga testimet shumë më masive. Numri mesatar i testimeve në periudhën 20 janar - 24 shkurt 2021 tregon një pabarazi të jashtëzakonshme (kryesisht për shkak të fuqisë socio-ekonomike të Tiranës):

Tirana - 2.500 testime ditore
Durrësi - 170 testime ditore
Fieri – 153 testime ditore,
Elbasani – 131 testime ditore,
Vlora – 122 testime ditore,
Shkodra – 120 testime ditore,
Korça – 112 testime ditore,
Lezha – 95 testime ditore,
Gjirokastra – 89 testime ditore,
Berati – 80 testime ditore,
Kukësi – 77 testime ditore,
Dibra – 73 testime ditore.

Po të shohim pozitivitetin e testimeve (TPP), pra sa testime dalin pozitive për çdo 100 testime, do të shohim se Tirana zë pikërisht vendin e fundit. Në detaj, nga më qarku më rëndë te qarku më lehtë:

Fieri – 64.7%
Vlora – 56.2%
Elbasani – 49.0%
Berati – 48.6%
Lezha – 40.1%
Korça – 39.8%
Durrësi – 37.6%
Shkodra – 33.8%
Gjirokastra – 33.6%
Dibra – 27.7%
Kukësi – 22.2%
Tirana 14.6% (e fundit dhe me diferencë të lartë)

Strategjia “test, test, test” ka qenë gjithnjë e trumbetuar nga OBSH-ja, por në Shqipëri kjo vazhdon nuk kryhet masivisht. Po ashtu, OBSH-ja rekomandon një pozitivitet të testimit <10% (idealisht <5%) dhe siç shihet asnjë qark nuk e plotëson këtë kriter, por Tirana është më afër.

Sipas shprehjes “Kush kërkon, gjen!” patjetër Tirana mbizotëron në raste dhe në vdekshmëri “zyrtare”, por nëse shohim me kujdes: 68.9% të testimeve totale “gllabërohen” (ose paguhen në privat) nga Tirana, por 43.5% e rasteve totale janë në Tiranë dhe, me logjikë 42.9% e vdekjeve totale kanë ndodhur në Tiranë. Ndërsa nga krahu tjetër, si shembull: Fieri ka: 3.2% të testimeve, por 8.9% të rasteve, dhe 8.6% të vdekjeve. Elbasani ka: 3.0% të testimeve, por 6.4% të rasteve, dhe  10.0% të vdekjeve. Pra, e thënë shkurt: “Testimi, sa më masiv është, aq më shumë jetë shpëton.” Për sa i përket ecurisë dhe efektit të masave, ato duket se nuk kanë dhënë ndonjë efekt të madh, duke qenë se frenimi i rasteve kishte filluar që në javën e parë të shkurtit, përpara fillimit të marrjes së masave.

Shqipëria teston më pak se çdo vend tjetër i rajonit në raport me popullsinë

Për këtë artikull, ne analizuam të dhënat statistikore të mbledhura nga “Worldmeter”, portal që përditëson në kohë reale statistikat për koronavirusin. Të dhënat tregojnë se deri më tani vendi ynë ka tetuar në total më shumë se 500 mijë qytetarë, ndërkohë që kanë rezultuar pozitiv më shumë se 118 mijë qytetarë. Në raport me popullsinë, Shqipëria ka kryer rreth 177 mijë teste për 1 milion banorë. Kjo është shifra më e ulët e testimeve krahasuar me gjashtë vende të tjera të rajonit. Greqia, Serbia dhe Mali i Zi janë shtetet që kanë kryer më shumë testime për 1 milion banorë, ndërsa më pas vjen Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Bosnje Hercegovina.

Image

Image

Testet e shpejta “sfidojnë” tamponët, mungesa informacioni për testimet në privat

Për të parë situatën aktuale të testimeve, ku Shqipëria kryen mestarisht rreth 3000 teste në ditë sipas shifrave zyrtare të raportuar nga Ministria e Shëndetësië, iu drejtuam me një kërkesë për informacion Institutit të Shëndetit Publik. Fillimisht, ISHP-së i kërkuam numrin e tamponëve që ka kryer nga fillimi i pandemisë deri më tani. Në përgjigjen e saj, ISHP na tha se nga fillimi i pandemisë (9 mars 2020) e deri në datën 10 shkurt 2021, janë kryer rreth 160904 teste (tampone), ose 1/5 e gjithë testimeve të kryera për rreth 1 vit. Pra, sipas kësaj shifre, më shumë se 4000 mijë testime janë teste të shpejta që kryhen në 54 pika në të gjithë vendin ose tampone që kryhen në laboratorët privat. Për këta të fundit, ISHP nuk jep shifra se sa testime kanë kryer, por nga të dhënat indirekte mund të kuptohet që ka një shumicë dërrmuese të qytetarëve që kryejnë testet anti-covid në laboratorët privat. Kësaj i bashkëngjitet dhe fakti, që testimi i shpejt në Shqipëri nisi të kryhet vetëm në fillim të dimrit të vitit të kaluar, ku sipas shifrave zyrtare u siguruan rreth 100 mijë testime të shpejta. Ky argument përforcohet gjithashtu nga një tjetër përgjigje e ISHP-së në të njëjtën kërkesë për informacion, ku thuhet se: “deri në javën e pestë të vitit 2021, 52% e testimeve janë PCR (tampone) dhe 48% janë testime me teste të shpejta”, shprehet ISHP. Nga ana tjetër, duket se ka një centralizim të laboratorëve publik në Tiranë, fakt që është argumentuar dhe më sipër nga mjeku Ilir Alimehmeti. Aktualisht janë 5 laborator publik që kryhen testimet anti-covid-19 në vendin tonë, të cilët ndodhen në Tiranë. Ndërkohë, nga në rrethe ka laborator privat të cilët funksionojnë për të kryer testimet për covid-19. Ne e pyetëm ISHP edhe për kohën e marrjes së përgjigjes nga pacienti pas kryerjes së testimit. Sipas ISHP-së, “përgjigja mund të vonohet deri në 72 orë”.

Image

Pergjigjet e ISHP pas kërkesës për informacion!

Testim i ulët dhe në radhët e sistemit shëndetësor

Një raport i hershëm me temë “Sistemi shëndetësor gjatë pandemisë COVID-19 dhe pajisja e stafit me materialet e mbrojtjes personale”, ngrinte shqetësimin për testimet e ulëta në radhët e personelit shëndetësor. Ky raport, i mbështetur nga instituti “Konrad Adenauer Stiftung”, tregonte se kishte diferenca të mëdha për testimin e personelit shëndetësor që punonte në spitalet Covid dhe personelit shëndetësor në sistemin parësor. “Politikat institucionale për testimin e personelit tregojnë diferenca të ndjeshme midis niveleve, ku natyrshëm përparësi kanë pasur mjekët dhe infermierët në spitalet COVID-19 dhe gati gjysma e tyre deklaron se testimi ka qenë praktikë e përgjithshme, pavarësisht nëse personeli shfaqte ose jo simptoma. Kjo përqindje vjen ndjeshëm duke u ulur në spitalet e tjera dhe akoma më shumë në sistemin parësor”,-thuhej në raport. Hartuesit e këtij raporti, sygjeronin gjithashtu testim 100% dhe të herë pas hershëm të personelit shëndetësor, si një nga burimet kryesore të përhapjes së pandemisë. “Testimi i stafit shëndetësor është një tjetër hallkë e zinxhirit mbrojtës dhe parandalues, me mangësi të theksuara sipas rezultatve të këtij studimi. Rezultati optimal do të ishte testimi 100% i stafit shëndetësor në mënyrë periodike ose të paktën në rastet e stafit që kanë shfaqur simptoma personalisht, por dukshëm situata është larg të qënit ideale në ofrimin e testimeve për vetë mjekët dhe infermerierët. Stafi shëndetësor duhet të ketë përparësi në qasjen ndaj testimit dhe kjo duhet të jetë një politikë e qartë dhe e miratuar e autoriteve dhe institucioneve shëndetësore”,-thuhej në raport.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco