Dy arsyet pse Richard Grenell dëshiron lirimin e tij/ Vjen lajmi i keq për Hashim Thaçin

Dy arsyet pse Richard Grenell dëshiron lirimin e tij/ Vjen lajmi i keq për Hashim Thaçin

20:23, 16/07/2024

Profesori dhe doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, ka folur lidhur me paralajmërimin e Richard Grenellit për rrëzimin e aktakuzës ndaj Hashim Thaçit.

E sipas Bytyçit, Grenell po e përkrah për dy arsye Hashim Thaçin.

“Po! Richard Grenell ka deklaruar se pas fitores së Donald Trump për akuzën për klasifikimin e dokumenteve sekret, të njëjtin fat (pafajësie) do të ketë edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai e ndërlidh rastin Trump dhe rastin Thaçi me emrin e një prokurori të vetëm, Jack Smith. “Rasti i Jack Smith kundër Trump po shpërbëhet. Radha është te ti, Hashim Thaçi ”, shkroi Grenell në “X”. Nuk është hera e parë që ambasadori Grennell shprehet rreth fatit të Hashim Thaçit. Ai ka bërë zgjedhjen e tij. Ka mbështetur klanin Thaçi dhe të tjerë për dy arsye: Së pari se ky klan dhe përkrahësit e tyre kanë të njëjtën pikëpamje e qëndrim për ndryshimin e kufijve dhe ndarjen e Kosovës në favor të Serbisë. Dhe e dyta, sepse Grenell është i obsesionuar ndaj Albin Kurtit”, shprehet Bytyçi.

Sipas tij, Grenell e rrëzoi qeverinë Kurti 1 së bashku me Thaçin dhe Agim Veliun.

“Për pasojë ardhja sërishmi në pushtet e zotit Kurti e ka tronditur jo vetëm projektin e Vuçiq në duart e Grenell, por edhe autoritetin e tyre. Në SHBA me siguri që rikthimi në pushtet me shumicë absolute të votave e Kurtit është interpretuar si dështim i politikave dhe diplomacisë së ambasadorit Grenell. Këtë dështim ai nuk mund ta durojë. Ndaj është në kërkim të hakmarrjes dhe Hashim Thaçin e sheh si rival të pakontestueshëm të kryeministrit të Kosovës së sotme. Në fakt me deklaratat e tij, Grenell vetëm se e forcon pozitën e zotit Kurti në pushtet, por bën që publiku të mos shohë, ose të mos dojë të shohë ndonjë defekt në qeverisjen e tij. Sa më shumë shprehet ambasadori Richard Grenell pro Hashim Thaçit dhe kundër Albin Kurtit, aq më shumë zbret mbështetja për të parin dhe rritet për të dytin. Prandaj personalisht nuk më shqetësojnë deklaratat e zotit Grenell”, deklaron profesor Bytyçi.

Siç thotë Bytyçi, opinioni publik është tashmë në dijeni të faktit se Grenell punon për Aleksandër Vuçiq dhe për shërbimet që i bën Serbisë është dekoruar nga presidenti serb me dekoratën më të lartë.

“Kësisoj nuk përbën ndonjë risi, as shqetësim fakti se ai bën deklarime të tilla. E rëndësishme është të sqarohet fakti se ajo deklaratë është jo e saktë, jo reale. Zotit Trump gjykatësi i Kalifornisë i hoqi vetëm një akuzë. Janë shumë akuza të tjera që duhen hequr. Ndoshta ish-presidentit amerikan i hiqen të gjitha akuzat. Por kjo nuk ka lidhje me Hashim Thaçin dhe pozicionin që ai ka në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë. Thaçi shkoi në Hagë zyrtarisht për akuzën e krimeve të luftës. Këtë akuzë ia pati ngritur Aleksandër Vuçiq, i bindur se Serbia do të fitonte bindshëm në bisedimet me Kosovën”, thekson Bytyçi për “Bota sot”.

“E përdori akuzën e tij Vuçiq derisa ra në ujdi për ndarjen e Kosovës. Në këtë çast nuk i përmendi më “krimet e UÇK-së”! Madje Thaçi, Grenell, Vuçiq dhe Rama kishin rënë dakord që të zhbëhet Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë. Por pasi të firmosej marrëveshja për ndryshimin e kufijve. Megjithatë pikërisht kjo marrëveshje u bë shkak i shkuarjes së Thaçit në Hagë. Ai në vend të vinte vetullat, nxori sytë e vet. Zoti sheh! Qëlloi prokurori Smith që shpalli akt-akuzën, kur Thaçi priste në aeroportin e Vjenës për t’u nisur drejt Uashingtonit. Smith me atë akuzë ndaloi një proces të rrezikshëm për paqen e stabilitetin. Dikush e porositi shpalljen e akt-akuzës. Këtu pajtohem dhe unë me Grenell. Smith veproi politikisht. Por ama në të mirë të ndërprerjes së një procesi shumë të rrezikshëm për Kosovën dhe gjithë rajonin e më gjerë. Megjithatë akt-akuza nuk u shkrua brenda ditës. Ajo ishte bërë gati prej kohësh”, shton Bytyçi.

Me tej, Bytyçi thotë se nga kjo pikëpamje nuk ka asnjë paralele midis rastit Trump dhe rastit Thaçi.

“Ndërkohë janë disa fakte dhe prova, të cilat ne nuk e dimë se si do të administrohen, të cilat flasin për vrasje politike të kundërshtarëve të Thaçit, shumica dërmuese e të cilëve aktivistë të Lidhjes Demokratike dhe përkrahës e bashkëpunëtorë të presidentit historik, Ibrahim Rugova. Nuk besoj se zoti Thaçi e ndonjë tjetër që sot gjenet në Hagë do të shpëtojnë kaq paq. Mundet që shumë nga akuzat të rrëzohen. Ato janë të shumta. Por sikur një ose dy të mbeten, dënimi jepet. P.sh, nëse llogarisim në akuzën e Dick Marty për trafikim të organeve të brendshme të serbëve të vrarë, kjo akuzë ka rënë pa nisur gjyqi i Hagës”, shpjegon profesor Bytyçi.

“Por nuk do të thotë se zoti Thaçi ishte gjatë luftës ky Hashimi që është sot. Kush e ka njohur dhe kush i ka dëgjuar deklaratat e tij para e gjatë Rambujesë, po ashtu gjatë bombardimeve të NATO-s kundër Rugovës, kupton lehtë se mentaliteti i Hashimit në atë kohë ishte mentalitet e ÇëGuevarës! Pra, ai ishte dhe mbeti një revolucionar stalinist e maoist, i përkhtyer në shqip, një idhtar i doktrinës së diktatorit Hoxha në Shqipëri. Me atë doktrinë bëhej vetëm luftë civile në Kosovë, por jo edhe luftë çlirimtare. Nëse nuk ndodhi kjo, duhet t’u falemi amerikanëve, anglezëve e gjermanëve që asistuan luftën”.

Profesor Bytyçi shprehet se deklarata e Grenell është më së shumti për konsum e për llogarinë bankare të tij.

“Nuk ka lidhje krahasimi Thaçi-Trump. Janë dy gjëra krejt të ndryshme. Ka vetëm një lidhje katërshe: Grenell-Vuçiq-Rama-Thaçi! Është lidhje e hershme. Madje një amalgamë tipesh e prototipesh me karakteristika krejt të ndryshme midis tyre, por me interesa të njëjta – Përmes zbatimit të projektit të Serbisë së Madhe të shtojnë pasurinë e tyre!”, përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco