Raporti për shtetin, do të neglizhohet njëjtë sikur 10 vjetët e fundit

Raporti për shtetin, do të neglizhohet njëjtë sikur 10 vjetët e fundit

14:45, 07/10/2020

GLPS-ja,  ka monitoruar procesin e përmbushjes së kritereve të Strategjisë së Zgjerimit për Kosovën që nga viti 2012. Ne e bëjmë një monitorim të tillë në terma sistematik dhe ad-hoc, dhe raporti për shtetin përbën një nga instrumentet përmes së cilave e përcjellim vlerësimin që Kosovës i bëhet nga Komisioni Evropian, përkatësisht Drejtoria e Përgjithshme e Fqinjësisë dhe e Politikës së Zgjerimit

Raporti për Shtetin për vitin 2020 nuk përbën ndonjë risi në vlerësimin e përgjithshëm të defekteve të institucioneve të Republikës së Kosovës, dhe mendojmë që do të neglizhohet njëjtë sikur që është neglizhuar në 10 vitet e fundit.

Sipas GLPS-ës, Raporti për Kosovën 2020 veçohet me këto karakteristika të përgjithshme: rRaporti nuk vëren progres serioz në asnjë fushë të procesit integrues, duke dëshmuar kështu që qeveria vazhdon të jetë seriozisht e pafuqishme politikisht dhe e paaftë për të adresuar listën e reformave kyqe në procesin integrues;

Raporti nuk vëren një adresim serioz të kritereve të integrimit nga një strukturë që e menaxhon procesin integrues, sikur që ishte Ministria e Integrimit apo sot Agjencia për Integrim Evropian. Një faktor i tillë është tregues që Kosova ende nuk i ka konsoliduar mjaftueshëm kuadrin institucional për t’a menaxhuar në mënyrë sistematike dhe të monitorueshme çdo kriter në procesin e integrimit, e jo vetëm MSA-në apo Planin e saj të veprimit;

Raporti gjithashtu nuk shënon ndonjë iniciativë serioze të reformave që ka ndërmarr qeveria; kjo është dëshmi që sistemi i qeverisjes në Kosovë vazhdon të ushtroj një mandat që e ruan status quo-n, dhe nuk parasheh e ndërmerr veprime që synojnë të ndryshojnë thellësisht situatën në sektorët e caktuar të politikave publike. Çdo qeveri në rajon ka të paktën nga një reformë të thellë strukturore për të cilën është çmuar nga Komisioni Evropian; Kosovës i mungon një gjë e tillë;

Raporti vazhdon të tërheq vërejtjen që qeveria nuk ka seriozitet në adresimin e instrumenteve të brendshme të programit integrues, siç është PKZMSA apo ERA. Të dy programet e reformave nuk përbëjnë pjesë thelbësore të debatit të brendshëm, e as pjesë thelbësore të angazhimit qeveritar apo parlamentar. Ato janë shëndërruar në fasada për të përmbushur një detyrim formal: në thelb, të dy instrumentet as që kanë lënë ndikim minimal në reformat evropiane.

GLSP-ja thotë se sa i përket fushave specifike, raporti konstaton  se në fushën e kritereve politike, raporti thekson paqëndrueshmërinë e kuadrit qeveritar, që kryesisht është reflektim i paqëndrueshmërisë së koalicioneve politike, dhe konsensusit afatgjatë të partneritetit politik; një theks i tillë është dëshmi që Kosova vazhdon të mos ketë një jetë stabile institucionale, e cila e bën pak të mundëshme adresimin e rregullt dhe formësimin e vullnetit politik afatgjatë për adresim të kritereve të zgjerimit; Raporti gjithashtu thekson karakterin e dobët të përfaqësimit të gruas në sistemin vendimmarrës e qeveritar, që është tregues i mungesës së një vizioni që respekton balancin gjinor;

Raporti thekson që zgedhjet janë mbajtur në përputhje me standardet e mira elektorale, megjithatë sistemi i ankesave ndaj vendimeve të KQZ-së është seriozisht i paqëndrushëm dhe shpeshherë i paparashikueshëm; një defekt i tillë e bën shpeshherë rezultatin parlamentar subjekt të vullnetit apo presionit politik, e aty gjen shprehje edhe ndikimi politik mbi komponentën gjyqësore të ankesave zgjedhore;

Raporti gjen që ka progres të kufizuar në fushën e administratës publike; pezullimi i tre ligjeve të reformës së administratës publike është dëshmi e dobësisë së adresimit të reformave qenësore në këtë fushë. Emërimet e larta të pabazuara në meritë janë gjithashtu një theks i raportit, e veçanërisht sa i përket pozitave të sekretarëve të përgjithshëm shumë prej të cilëve vazhdojnë të jenë emërime partizane e pa bazë minimale profesionale (e disa prej tyre me prapavijë edhe penale); vendimet e qeverisë janë konstatuar si shpeshherë ad-hoc, dhe të bazuara në interesa të ngushta, e të cilat në thelb janë korruptive; Raporti gjithashtu thekson që ekziston një strukturë tepër e dobet horizontale e koordinimit ndërmjet ministrive, që e bën veprimin e përbashkët qeveritar të dobet dhe të bazuar në qasje individualiste të ministrave, e shpeshherë të ç’akorduar në funksionin praktik;

Raporti thekson që sistemi i drejtësisë vazhdon të jetë objekt i një ndikimi serioz politik, dhe i papërgjegjësisë së zingjirit në raport me performancën në hetimin dhe gjykimin e rasteve të profilit të lartë. Raporti nuk gjen asnjë reformë serioze të jetë ndërmarrë në fushën e sistemit të drejtësisë, dhe asnjë rast të profilit të lartë të gjykuar me seriozitet nga sistemi vendor i drejtësisë; raporti vazhdon të theksoj mungesën e kapaciteteve dhe vullnetit të prokurorit të shtetit për të hetuar në mënyrë efektive krimin e organizuar dhe korrupsionin, dhe një gjë të tillë e rithekson si një problem strukturor që nuk po konsiderohet në një prizëm të nevojës për ndryshim;

Raporti megjithatë thekson progres në menaxhimin e politikës së migrimit, duke parandaluar kështu që Kosova të jetë një zonë gri sa i përket migrantëve nga vendet e treta apo edhe potencialit në raport me migrimin e paligjshëm në zonën Schengen;

Raporti thekson që Kuvendi i Kosovës është objekt i përqarjeve të thella, e të tilla që e bëjnë shumicën parlamentare të paaftë për të kontrolluar qeverinë apo për të mbështetur reforma të thella institucionale. Një gjë e tillë vështrohet sidomos sa i përket mungesës së kalimit të një numri minimal ligjesh, apo diskutimit për programe e projekte qeveritare, të cilat mungojnë seriozisht. Dobësi në funksionimin e komisionioneve parlamenetare vërehet gjithashtu, sidomos sa i përket monitorimit të institucioneve qeveritare;

Raporti vë theksin gjithashtu në strukturën e shpenzimeve publike, duke theksuar që ka rënë tutje standardi i planifikimit të arsyeshëm buxhetor. Një dimenzion i tillë është tregues i rritjes së presioneve politike për shpenzime klienteleske, dhe të pabazuar në një koncept zhvilllimor e të arsyeshëm të shpenzimeve;

Raporti gjithashtu thekson mungesën e mundësisë për të bërë biznes, dhe kontrollit të madh të interesave të ngushta politike mbi mënyrën se si bëhet biznes. Një dimenzion i tillë është gjithashtu prevalent sa i përket adresimit efektiv gjyqësor të kontesteve biznesore;

Element tjetër i rëndësishëm është transparenca e kuadrit financiar të partive politike; raporti thekson që partitë politike janë duke bërë shkelje serioze të ligjit duke mos publikuar raportet e detajuara financiare sipas ligjit në fuqi, dhe një defekt i tillë shprehet në çdo aspekt të auditimit të jashtëm gjithashtu. Një defekt i tillë pastaj reflektohet në sisteme prokurimi e shpenzimesh publike të klientelave partizane, origjina e të cilave nuk mund të hetohet për shkak të mospublikimit me kohe e sipas ligjit të shpenzimeve partiake.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco